Riciklimi i mbetjeve, ministrja Kumbaro vlerëson bashkinë e Sarandës si histori suksesi
Nga Forumi i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve dhe Ekonominë Qarkulluese, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri bilancin e një viti në fushën e mjedisit, duke njoftuar drejtimin që do të marrë ky sektor drejt riciklimit dhe kompostimit.
Ajo përmendi se Plani i Pastrimit Kombëtar ka vazhduar gjatë gjithë vitit me rezultate mbresëlënëse, ndërsa u përmendi kryebashkiakëve edhe gjobat nëse neglizhojnë në pastrimin e qytetit.
Forumi u u organizua në bashkëpunim me Shoqërinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar / GIZ duke promovuar modelet e suksesshme të Sarandës dhe Himarës ku mblidhet letra dhe plastike për riciklim duke krijuar të ardhura për bashkitë, apo modeli i Cërrikut që është pioner në procesin e kompostimit.
Këto modele do të shtrihen edhe më tej në bashki të tjera të vendit, teksa Kumbaro theksoi si prioritet për vitin 2023 edhe instrumentet e mbështetjes financiare për bashkitë që performojnë mirë dhe edukimin mjedisor në shkolla për ndryshimin e mentalitetit të qytetarëve ndaj mbetjeve.