KPK shkarkon nga detyra gjyqtaren e Gjirokastrës, Blerta Marku

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra Blerta Marku, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.

Gjyqtarja Blerta Marku u përball me vetingun me 22 shtator për tri kriteret e vlerësimit atë të ligjshmërisë së pasurisë, kriterin etik dhe profesional.

Komisioni konstatoi pamundësi financiare për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 87.93 m2 në Gjirokastër kundrejt çmimit 900 mijë lekë, si dhe për shpenzimet e tjera të kryera në atë periudhë.

Si burime krijimi të kësaj pasurie, Marku ka deklaruar të ardhurat e saj nga puna si gjyqtare dhe ato të bashkëshortit nga puna në Greqi në shumën 29 mijë euro.

Trupa gjykuese e përbërë nga Etleda Çiftja, Suela Zhegu,Pamela Qirko pas analizimit të provave dhe fakteve vendosi, shkarkimin nga detyra të gjyqtares Blerta Marku.

Blerta Marku e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 dhe punon prej më shumë se dy dekadash në Gjykatën e Rrethit Gjirokastër.