Rama: Bypass-i i ri i Vlorës, akses në pak minuta drejt rivierës shqiptare

Bypass-i i ri i Vlorës është investimi më i fundit në infrastrukturë që i ofrohet qytetarëve në këtë sezon turistik duke mundësuar akses në pak minuta drejt rivierës shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga ky bajpass dhe disa përshtypje të qytetarëve, ku theksojnë se ky investim ka lehtësuar trafikun dhe i vjen shumë në ndihmë.

“Mirëmëngjes dhe nga Bypass-i i ri i Vlorës, me shijen magjepsëse panoramike të një aksi të ri, i cili ka shkurtuar distancat drejt rivierës shqiptare dhe ka lehtësuar ndjeshëm trafikun në qytetin e Vlorës, duke i dhënë “kuaj të rinj” fuqi turizmit bregdetar, ju uroj një të diel të qetë”, shkruan Rama.

Një qytetar thotë se ky është një investim fantastik.

“Duhet të kesh qenë dëshmitar okular, qytetari i Vlorës që të shikojë atë kaos të vërtetë që krijohej me kamionë të tonazhit të rëndë brenda qytetit. Nuk arrije të shikojë një të sëmurë në Spitalin Rajonal të Vlorës. Ishte tmerr i vërtetë. Është një gjë shumë pozitive që na ka ardhur neve në ndihmë ky lloj investimi”, tha ai.

Një tjetër qytetare shprehet se është një investim që na ka shkurtuar rrugën.

“Veç se është panoramikë është një rrugë që na ka shkurtuar të gjitha destinacionet e jugut, për momentin unë jam nisur në Orikum dhe për një kohë të shkurtër arrijë atje. Është një rrugë që na ka ndihmuar shumë jo vetëm për të arritur në destinacionet e jugut por kur jemi në qytetin e Vlorës ndihemi më të sigurt”, tha ajo.

Të tjerë qytetarë vlerësojnë investimin si një mundësi për çlirimin nga trafiku dhe kursimin e kohës.

“Unë jam i zonës këtu dhe me këtë rrugë na ka ndihmuar shumë. Kjo është mrekulli. Kush ka sy në ballë dhe mend në kohë, duket është mrekulli”, tha një tjetër qytetar.

Po ashtu një tjetër qytetar shprehet se është një investim që duhet të ishte bërë vite më parë por më në fund u realizua. Xhaxhai im banon në Itali, tha është një mrekulli. Hallall i qoftë. Na ka zgjidhur 100%, s’ke lidhje as me Vlorën asgjë, ikën direkt.

Edhe një turistë italian shprehet se, e kanë rregulluar shumë mirë dhe nuk ka problem në rrugë.

Bypass-i i Vlorës është ndërtuar me standardet më të mira dhe parametrat më të lartë të sigurisë.
Rruga lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, duke ndikuar edhe në lehtësimin e fermerëve, për daljen më shpejt në tregje, të prodhimit bujqësor dhe nxitjen e agroturizmit.
Rruga e re me gjatësi 29 km vlerësohet një ndër segmentet me impaktin më të lartë turistik që ndikon ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës. Ajo nis nga Rrethrrotullimi, në fund të autostradës Levan-Vlorë.
Në çdo 1.5 kilometër të kësaj rruge ka vendpushimi për automjetet.