Për shtatë atraksionet buzë shëtitores

Nga Thoma Nika

Atje ku ndal hapin çdo vizitor e pushues i kësaj vere, u ndal edhe “Ora Verore”, me gazetarin simpatik Ronaldo Shaka.

Në Atelienë Natyrore buzë shetitores së Sarandës: para një spirance gjigande me histori tërheqëse dhe para 6 skulpturave, të dala si nga Deti Jon.

MEGASPIRANCA

– Mendohet se është me moshë më shumë se 200-vjeçare
– Ra në rrjetat e një peshkatoreje gjatë gjuetisë në Gjirin e Sarandës
– U kurua e konservua, me teknologji bashkëkohore, për ta shpëtuar nga dekompozimi pas daljes në ajër
– Ka 10 vjet e ekspozuar si aset turistik
– Ka lartësinë 6.5 m, diametri i unazës së sipërme është 1 m dhe peshon 2. 5 tonë.
– Fillimisht u vendos në një piedestal në qendër të Sheshit të Limanit, por urbanistët menduan se nuk i qëndronte mirë atij ansambli dhe u zhvendos poshtë ndërtesës së Bar Lulishte “Butrinti”.
– Si plotësim i mesazhit të saj, në krah të Superspirancës qëndron pllaka me mbishkrimin e gdhendur: “Hidhe edhe ti “spirancën” në këtë qytet”.
– Mbishkrimi shkon te kushdo si ftesë për të zgjedhur Sarandën si adresë tërheqëse për të pushuar dhe për ta vizituar.

GJASHTË SKULPTURAT

Kur investimi në shetitoren e Sarandës, iu afrua fundit, ishte ora e “buzëkuqit”, apo e kujdesjes për arredimin. Prej asaj dite, edhe 6 skulpturat e parkut, zunë vend të ri. Janë “Pulëbardhat”, “Delfinët”, “Ëndrra”, “Prerja e Artë e detit”, “Afërdita” dhe “Kali i Detit”, që na shfaqen si Atelie skulpturash në natyrë.

Të arreduara përmidis platformave që zbardhin dhe shkallareve që zbresin deri poshtë, si për t’u puthur me vijën e ujit, qeniet dhe figurinat e mermerta, nuk flasin me detin si dikur, që kishin “përkthyese” rërën, por dialogojnë drejtpërdrejt me valën e Jonit dhe fluksin e njerëzve.

Me ata që shetisin në këtë hapësirë, urbanizuar me një koncept modern, teksa ata oksigjenojnë mushkëritë me ajrin e jodizuar, skulpturat e parkut sikur pëshpërisin fjalë arti dhe fjalë dashurie…