E mërkura e “zezë” në Sarandë, dy jetë të humbura brenda pak orësh
Dy jetë të humbura brenda pak orësh ditën e sotme në qytetin e Sarandës. Viktima e parë që u raportua gjatë pasdites ishte një turist italian. 33-vjeçari ndërroi jetë nga një arrest kardiak.
Të dhënat e para thonë se pasi kishte pirë shumë alkol ai u fut në det, por nuk ndihej mirë dhe me të mbërritur në spital humbi jetën. Ngjarje tjetër më tronditëse ishte vrasja që ndodhi në mbrëmje.
Një sherr banal për një vend parkimi pranë një restoranti i mori jetën 41-vjeçarit Klodian Bakiaj nga Tepelena.
Autori është identifikuar si Xhanilo Tarja nga Laçi. I riu punonte kamerier në restorant. Detajet se si nisi përplasja mes tij dhe viktimës nuk dihen ende. 41-vjeçari u qëllua me thikë.
Policia ka shpallur në kërkim autorin dhe ka nisur një operacion të gjerë për kapjen e tij. Dy ngjarjet e sotme tronditën qytetin bregdetar i cili frekuentohet nga pushues të shumtë.