CNN fton ndjekësit e vet të provojnë Ksamilin, mes perlave të Evropës

Kryeministri Edi Rama ndau sot shkrimin e medies prestigjioze amerikane CNN e cila fton ndjekësit e vet të provojnë Ksamilin, Himarën, Dhërmiun, mes perlave të Evropës.

Rama u shpreh se, ky është edhe sezoni turistik me mbulimin më të madh në mediet ndërkombëtare.

“Edhe CNN fton ndjekësit e vet të provojnë Ksamilin, Himarën, Dhërmiun, mes perlave të Evropës. Ky është edhe sezoni turistik me mbulimin më të madh në mediet ndërkombëtare”, nënvizoi Rama.

“Koha kur Shqipëria verore dilte tek-tuk në ndonjë media të huaj, si vend i mbushur me plehra i përket të kaluarës, tanimë kemi hyrë në një rrugë të re”, theksoi Rama në një postim në rrjetet sociale

“Na duhet shumë punë akoma në këtë rrugë, por e dimë ku duam të shkojmë, si shkohet aty ku duam dhe se sa të madhe e kemi forcën për t’ia dalë”, shkroi Rama.

Shkrimi i plotë i CNN:

Shumë më pak e njohur nga turistët sesa Greqia fqinje në jug ose Italia përtej Adriatikut, Shqipëria është ende një sekret që ruhet mirë mes udhëtarëve të zgjuar, por që nuk ka shumë gjasa që të qëndrojë e tillë për një kohë të gjatë.

“Kroatët dhe evropianët në përgjithësi po e zbulojnë tani bregdetin shqiptar”, thotë Alan Mandiç i kompanisë “Secret Dalmatia”.

“Ajo është përrallore dhe është tepër e lirë. Ushqimi, historia, mikpritja, natyra dhe plazhet, këtu ndodhet gjithçka”, thekson ai.

Ndër plazhet për t’u eksploruar përgjatë asaj që quhet Riviera shqiptare janë Ksamili, pranë kufirit me Greqinë, dhe Himara dhe Dhërmiu më në veri, ku mund të ushqeheni me karkaleca deti, oktapod të pjekur në skarë dhe peshq të freskët me çmime shumë të lira, të kapur direkt nga deti Jon, ndërkohë që jeni duke vështruar hapësirën e tij vezulluese.