Rruga e re Kardhiq-Delvinë, lehtësim për të shkuar drejt rivierës joniane

Vetëm një javë pas inagurimit të rrugës së re Kardhiq-Delvinë duket se po ndjehen efektet e para zhvillimore të këtij aksi të rëndësishëm. Gazetari Norel Zaimi udhëtoi me një grup xhirimi të RTSH nga ura e Kardhiqit deri në Sarandë ku përfundon kjo rrugë, duke sjellë përjetimet e vizitorëve dhe banorëve të zonës të cilët ndjehen optimistë për këtë projekt të rëndësishëm.

Rruga e re Kardhiq-Delvinë, e cila shkurton kohën e udhëtimit drejt Sarandës me 45 minuta, prej ditësh po zgjidhet nga mijëra pushues shqiptarë dhe të huaj të cilët kanë vendosur të pushojnë në plazhet e famshme të Rivierës Joniane.

Tek ky kryqëzim duhet të marrësh djathtas për të hyrë nga rruga e re nëse vjen nga Tirana.

Banorët e zonave përreth nuk e fshehin kënaqësinë që tashmë pronat e tyre do të marrin një vlerë të shumëfishuar dhe do tu rritin atyre të ardhurat. Ata me bindje thonë se presin shumë e nga kjo vepër.

Duke hyrë në këtë luginë me bukuri të rrallë rruga gjarpëron drejt këtyre grykave për të ndaluar poshtë malit të Skërficës ku shfaqet edhe vepra më e rëndësishme e të gjithë segmentit tuneli me të nëjtin emër.

Vetëm për pak minuta teksa del prej tunelit 1.3 kilometër të gjatë mbërrin në Delvinë. Banorët thonë se prej shumë vitesh e kanë pritur një mrekulli të tillë.

Nga Delvina rrugëtimi drejt Sarandës zgjat fare pak minuta.

Kemi dalë në lagjen e famshme Qafë Gjashtë në Sarandë ku shfaqet edhe deti Jon.

Të gjithë pushuesit që do të zgjedhin bregdetin jonian këtë verë, do ta kenë më të lehtë udhëtimin, duke udhëtuar nga Tirana për në Sarandë në më pak se tre orë.