Prestigjiozja franceze “ELLE“: Shqipëria, destinacion turistik që s’duhet humbur
Revista prestigjioze franceze “ELLE” i ka kushtuar një artikull të gjatë promovimit të Shqipërisë si destinacion turistik, duke nxjerr në pah natyrën e bukur dhe ushqimin bio.
Kryeministri Edi Rama ndau sot përmes rrjeteve sociale, një pjesë të këtij artikulli, i cili është një ftesë e hapur për turistët francez që të vizitojnë Shqipërinë.
“Revista prestigjioze franceze “ELLE” promovon Shqipërinë si destinacioni turistik që s’duhet humbur, me “Vende që ju lënë pa frymë, tradita gastronomike të mrekullueshme, trashëgimi kulturore e mahnitshme””, shkruan Rama.
Pas dy sezonesh verore të ndikuara nga pandemia, turizmi i është rikthyer normalitetit dhe këtë e tregojnë të dhënat pozitive të periudhës janar-qershor 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Edhe sipas të dhënave të INSTAT, Shqipëria pritet që të ketë këtë vit sezonin më të mirë turistik sa i përket turistëve të huaj, duke tejkaluar dhe vitin 2019 para pandemisë, që deri tani mbante rekordin.
Vetëm gjatë muajit qershor në vend kanë hyrë 876 mijë shtetas të huaj, me një rritje prej gati 40% në krahasim me muajin qershor të vitit 2019.