Mirela Kumbaro: Turistët po lënë Greqinë për Shqipërinë!
Shqipëria po mirëpret mijëra turistë të huaj këtë sezon. Shifrat deri në qershor, kanë arritur fluksin e gjithë vitit 2019. Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro, tha se sezoni këtë vit ka nisur që në pranverë. Kumbaro shtoi se një numër i madh turistësh që më parë zgjidhnin Greqinë, tashmë janë kthyer drejt Shqipërisë.
“Saranda ishte plot me turistë, Vlora po ashtu. Kam vizituar gjithashtu Dhërmiun, Durrësin, Shëngjinin dhe kam parë se hotelet janë plot dhe të rezervuara deri më 15 shtator. Këtë vit ndryshe nga çdo herë, piku ka nisur që më 15 qershor, një muaj më parë. Ka një numër në rritje të turistëve dhe që tani kemi kapur shifrat e vitit 2019. Në 3-4 vjetet e fundit kemi bërë një promovim shumë të madh për Shqipërinë. Por nuk bëhet fjalë për promovimin klasik. Kemi përdorur metoda të reja që shkojnë më shpejt dhe në mënyrë më zbavitëse tek të huajt.
Për shembull, vitin e kaluar u regjistrua në Shqipëri një nga reality show-t më të famshëm në Holandë. Nga 1 janari deri më 15 mars të këtij viti çdo të shtunë shfaqej në njërin prej kanaleve më të ndjekura holandeze dhe shikohej nga 5 deri në 7 milionë shikues. Kjo solli një rritje të turistëve holandezë në Shqipëri këtë sezon.
Kemi gjithashtu një rritje të madhe të numrit të turistëve gjermanë. Kjo sepse kemi qenë shumë këmbëngulës në tregun gjerman. Është një treg interesant dhe paguan. Pra është ai lloj turisti që harxhon për pushime. Është gjithashtu një treg që edhe kulturalisht ka shumë interesa dhe këtu përfshihen turistët që vijnë për të parë natyrën, që bëjnë sporte të aventurës, që vijnë me motorë apo ata që vijnë specifikisht për turizmin kulturor.
Por duhet të themi që ka një pjesë të konsideruershme që vijnë për shkak se ne jemi Mesdhe. Është shumë interesant fakti që shumë fluks turistësh që shkonin drejt Greqisë, tashmë janë kthyer në Shqipëri”, u shpreh Kumbaro në Dritare TV.