Kumbaro: Mbi 68 mijë vizitorë të huaj vetëm në qershor në Sarandë

Qyteti bregdetar i Sarandës gjatë muajit qershor shënoi një fluks të madh vizitorësh të huaj.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e shoqëruara nga kryetari i bashkisë së Sarandës, Ardian Gurma dhe drejtori i portit, Alket Qendro vizituan sot portin, ku mirëpriten çdo ditë turistët që vijnë në rrugë detare.

“Sipas shifrave vetëm gjatë muajit qershor ka pasur një qarkullim prej 68,068 vizitorësh të huaj, plot 24% më shumë krahasuar me gjithë vitin 2021. Aspak burokraci, kontrolle minimale për turistët dhe kushte të rehatshme në pritjen e tyre”, shprehet Kumbaro.

Drejtori i portit, Qendro thekson se “portin e vizitojnë thuajse çdo ditë tragetet e shpejtë, si dhe tragetet e linjës Sarandë-Korfuz. Turistët zbresin në port dhe hipin në autobus pa kontroll policor vetëm me biletën. Kjo ka krijuar lehtësira sipas turistëve, pasi po të kontrolloheshin do të merrte shumë kohë”.

“Kemi arritur kulmin para 4 ditësh me 1600 turistë në një ditë.  Ka edhe turistë javorë, që qëndrojnë gjatë një jave. Me vitin 2019 jemi akoma më mirë, ka rritje të numrit të turistëve”, tha Qendro.

Ministrja Kumbaro u interesua për parashikimin e numrit të turistëve për muajt korrik-gusht, si dhe për procesin e përpunimit të turistëve.

Drejtori i portit, Qendro tha se “do të realizojmë edhe hyrjen për në terminal, me sistem dixhital të kontrollit të biletave”.

Saranda përveç diellit e plazhit njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit tërheq gjithnjë e më shumë turistët e huaj me historinë e tij mijëravjeçare.

Në kuadër të masave të marra për sezonin turistik është edhe përmirësimi i mënyrës së menaxhimit nga Drejtoria e Turizmit në Bashki ku ka ndryshuar riformatimi i Zyrës së Informacionit Turistik (ZIT), në qendër të qytetit.

Ajo ka ndryshuar imazh, duke u bërë më tërheqëse për turistin vendas e të huaj, qysh në prezantimin vizual. Edhe më e rëndësishme është se edhe ana përmbajtësore e ajo funksionale, është përmirësuar dukshëm. Në të tashmë ofrohet informacion i nevojshëm e praktik për çdo të interesuar, lidhur me guidat e përditësuara të kësaj vere, me mundësitë e alternativat për udhëtim drejt destinacioneve dhe pikave më interesante të interesit turistik, shoqëruar me rekomandimet e të dobishme.

Në këtë Zyrë të Informacionit Turistik ofrohen harta të posaçme guidimi, albume e manuale që i përgjigjen interesit të shtuar të pushuesve për të qenë sa më të informuar dhe sa më të orientuar gjatë lëvizjes së tyre me mjete të transportit publik, taksi apo në rrugë detare. Për këdo që paraqitet dhe pajiset me informacion në ZIT të Bashkisë, plotësohet një anketë në formatin e interviste.

Ajo i shërben pasurimit të bazës së të dhënave për vendin nga vijnë turistët, për trendin e kësaj vere, si dhe një feedback për shërbimet që atyre u ofrohen.