VIDEO/ Delvinë, fshati i vogël me dy monumente që duhet vizituar

Gjatë rrugës automobilistike Delvinë – Muzinë, në rrëzë të Malit të Gjërë, para se të shkosh në Pecë, ndodhet fshati i vogël Kardhikaq me rreth 30 shtëpi, i shtrirë në një pllajë të bukur. Në afërsi të tij gjënden dy monumente të rëndësishme, monumenti natyror “Ujëvara e Kardhikaqit” dhe Monumenti Kulturor, Manastiri i “ Shën Triadhës”.

Uji që rrëshqet shumë bukur në një rrëpirë duke krijuar ujëvarën e Kardhikaqit, në disa metra lartësi dhe 2 m gjërësi, del nga një e çarë rrethore nga formacionet karstike gëlqerore. Zhurma e ujit dëgjohet në një distancë mjaft të madhe. Krijon një pamje me bukuri mahnitëse.

Eshtë shumë bukur ta eksplorosh dhe ta vizitosh. Në krahun e majtë të ujvarës, në një pikë dominuese, gjëndet manastiri i Shën Triadhës. Një pjesë e godinës është mjaft e rrënuar, me mure të rrëzuara, të plasaritura, sidomos në pjesën perëndimore, pasojë edhe e pemëve që kanë mbirë në oborin dhe muret e manastirit. Përreth manastirit ka pemë të ndryshme, më tepër të llojit lis.

Naosi, salla e madhe e objekteve të kultit, që është ruajtur më mirë, ka përmasa të brendshme 7 x 3.90 m. Në muret gjatësore dalin tri çifte pilastrash, që lidhen me harqe në drejtim tërthor, duke krijuar 4 hapësira të mbuluara me qemer cilindrik. Ndriçimi natyral vjen nga dritaret e vogla në murin verior e atë jugor. Ndërtim me interes paraqet edhe narteksi, hapsira anësore, që rrethojnë në të dy anët e naosit. Në anën jugore ai ka qenë i hapur me një arkadë elegante treshe mbi kolona të holla guri.

Çatia gjatësore ndërpritet nga volumi më i ngritur i nefit tërthor, hapsira e përparme e objektit të kultit, i mbuluar me çati dyujëshe, duke krijuar kështu pamjen e një çatie në formë kryqi.


Kisha është ndërtuar me gurë të lidhur me llaç gëlqereje, që përfundojnë me një kornizë të hollë guri. Përpunim më të kujdesshëm ka apsida, e cila është e zbukuruar me një sërë harqesh tullash, që krijojnë një friz të ngushtë në pjesën e sipërme, ndërsa sipër e mbyll muraturën një kornizë e punuar me gurë të gdhendur. Nga mbishkrimi mësojmë se kisha është pikturuar në vitin 1827.

Ka të ngjarë që të kemi ë bëjmë me ndonjë ripikturim që nuk pasqyron saktë kohën e ndërtimit, që nga tiparet tipologjike duhet t’i përkasë fundit të shek. XVI- fillimi i XVII. Eshtë një manastir interesant që mund të vizitohet jo vetëm për vlerat kulturore që ka, por edhe për atë pamje mjaft të bukur që të ofron për gjithë zonën. Qenia në majën ku gjëndet manastiri, të përcjell ndjesinë e të qënit i gjithëpushtetshëmmbi atë bukuri përrallore që të ofron ky atraksion turistik. Prandaj mos e humbisni rastin për ta vizituar dhe për ta bërë pjesë të axhentës tuaj turistike. Në videon e realizuar nga Sokol Ballaci, duket qartë se sa i bukur është manastiri i Shën Triadhës në Kardhikaq.