Destinacioni i javës: Rrënojat e Onhezmit antik, në qendër të qytetit të Sarandës

Qyteti i Sarandës në lashtësi është njohur me emrin Onhezmi, shfaqet për herë të parë në burimet e shkruara në shek. I p.e.sonë nga Straboni, Dionisi i Halikarnasit e dy shekuj më pas nga Ptolemeu, të cilët e quajnë atë një liman kaon.

Të dhëna të rëndësishme janë edhe dëshmitë e shkruara të dijetarëve e udhëtarë të shek. XIX si Pukëvili, W. M. Leak, Isambert etj.

Sipas legjendës, Onhezmi ishte një erë juglindore e cila frynte dhe lehtësonte lundrimin e anijeve. Ndërsa një legjendë tjetër e lidh emrin e Onhezmit me Ankizin, babain e Eneas, heroin trojan që mori pjesë në luftën e Trojës dhe pas pushtimit të saj nga grekët ai nisi udhëtimin e tij drejt Perëndimit duke kaluar edhe përmes Thrakës dhe Butrintit.

Gjatë shek. I-IV të e.sonë Onhezmi kishte një shtrirje të gjerë nga hyrja e qytetit në lindje deri në portin e sotëm në perëndim.

Gjatë shekullit IV Onhezmi fortifikohet me një mur rrethues të fuqishëm i cili përfshin jo më gjithë këtë zonë të përmendur por vetëm qendrën e tij.

Pjesë e këtij rrethimi ishin banesa, stera dhe në pjesën lindore të tij ndodhen edhe rrënojat e bazilikës/sinagogës që i takon shek të V – mesit të shekullit të VI.

Sot në qendër të qytetit dhe pranë tij dallohen rrënojat e një sërë monumenteve të cilat janë dëshmi e trashëgimisë sonë kulturore dhe atraksione të veçanta për këdo që viziton Sarandën.