U arrestua brenda 24- orëve, policia e Sarandës në kërkim të personit që pagoi për djegien e zyrës së noterit

Zbardhen detaje nga zjarri i vënë mëngjesin e djeshëm në zyrën e noterit Aleko Anagnosti, në qendër të qytetit të Sarandës.

Autori i ngjarjes është 41-vjeçari Marjo Sinani, i cili rezulton i dënuar më parë, si dhe përdorues i lëndëve të forta narkotike dhe se ai ka qenë i dënuar në fillim të viteve 2000 për “Vjedhje në bashkëpunim”. Më pas, më 28 shkurt 2008, ai është arrestuar për “Shkatërrim të pronës me zjarr”, pasi ka djegur automjetin e Drejtorit të Shtëpisë së Pritjes Sarandë në atë kohë, Agim Kabo.

Më 12 dhjetor 2010, Sinani është arrestuar përsëri, pasi këtë radhë ai ka plagosur me thikë shtetasin S. Dike. Gjashtë vite më vonë, më 8 nëntor 2016, ai është arrestuar për vjedhjen e tre automjeteve, në lagjen nr. 1 të Sarandës, duke përdorur një thikë.

Policia dyshon se Marjo Sinani është paguar për t’i vënë zjarrin zyrës së noterit Anagonsti, mëngjesin e djeshëm dhe po punon intesivisht për zbardhjen e personave që e kanë paguar.

Policia arriti brenda 24 orëve të zbardhte ngjarjen dhe të prangoste autorin duke shfrytëzuar pamjet e kamerave të sigurisë të shumë bizneseve dhe kamerat e qytetit dhe në krye të këtij operacioni në çdo hap të tij mësohet se ka qenë shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë Klodian Kondi.