Turizmi në Sarandë, Çipa: Sezoni turistik ka hyrë në ritmin e duhur

Kryetari i Shoqatës së Industrisë së Turizmit në Sarandë, Arben Çipa thotë se momentalisht sezoni në jug ka hyrë në ritmin e duhur.

Duke folur për MCN Tv, ai ngriti si shqetësim se kemi humbur kohë nga ditët e kaluara, në maj dhe qershor, ndërsa uroi që të kompensohen në shtator dhe tetor.

Aktualisht Saranda është një qytet me frymë të gjallë turistike, funksionojnë korçerat, operatorët që bëjnë turin e Shqipërisë dhe operojnë në Sarandë për shtatë ditë në total.

Të gjitha shërbimet kanë filluar të paktën javën e fundit. Vihet re në jug tipologjia e turistit ka ndryshuar. Turistët në 90% janë të Europës qendrore, spanjollë, francezë dhe moshë e re.

Vijnë me një natyrë tjetër shërbimi, marrin automjete me qira dhe lëvizin në jug. Kjo ka bërë që të mos i shohim në qytet ditën, ndërsa në darkë kthehen.

Ka ndryshuar natyra e turistit, por mungon turisti i cili vjen nga zona e Rusisë. Është një mungesë e cila nuk është se luan rol kryesor, por ka mungesë. Nuk na dëmton, por mungon.

Sa i takon mungesës së fuqisë punëtore, Çipa e quajti një pandemi të re për territorin shqiptar.

Nuk ka përshkrim tjetër veçse pandemi. Ne kemi tentuar që të sjellim punëtorë nga jashtë. Të gjitha bizneset duke filluar nga restorantet, transportet, kemi filluar të trokasim në tregjet e huaja, për të punësuar në Shqipëri.

Lidhur me pritshmëritë, ai tha se do të jetë një sezon i mirë për muajt që na ka ngelur.

Sipas tij, tregu kryesor në Shqipëri është ai polak, por tha se edhe ata vonuan, por beson se turizmi do të zgjatet për muajin shtator dhe tetor.

Mendoj se do jetë sezon i mirë dhe do të përqendrohet në korrik dhe gusht. Duhet të mbledhim forca që të mos krijojnë opinione jo të mira për shërbimet.

Sa i takon furnizimit me ujë, Çipa deklaroi se ka hapësirë akoma për ta mbyllur cikin e shërbimit të ujit, por nënvizoi se ka tre vjet së paku që i është dhënë zgjidhja, jo më e mira e mundshmja, me ujin e pijshëm.

Ai tha se po punohet në shpejtësinë maksimale për ta zgjidhur këtë hall një herë e mirë, jo vetëm për Sarandën por edhe për Ksamilin.

Për hapësirat publike dhe menaxhimin e tyre si dhe çmimet e kripura të shezllonëve, Çipa shtoi se ka individë ose subjekte që abuzojnë.

Ne edhe si shoqatë i kemi vendosur para përgjegjësisë këta subjekte. Problemet nuk janë në të njëjtin nivel si 3-4 vite më parë.

Me filtrimin dhe kontratat e ngritura nga bashkia, mendoj se subjektet do të jenë më të kujdesshëm në shërbimin e plazhit.

Kush janë të kujdesshëm do vazhdojnë në ritmin e tyre, ndërsa të tjerët do të ndëshkohen nga vetë turistët.