Tjetërsimi i tokave në Sarandë, 10 persona në hetim

Gjykata ka vendosur caktimin sot të masës së sekuestros preventive për një sipërfaqe toke prej 10 230 m2 tokë në Sarandë.

Në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme bëhet e ditur se, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, në kuadër të procedimit penal Nr. 605 të vitit 2020, pas zbatimit të urdhrave të ndalimit, ka kërkuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë caktimin e masës së sekuestros preventive në lidhje me pasuritë objekt hetimi, të cilat dyshohet se janë regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës Sarandë mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë me vendimin Nr.50 dt. 02.06.2022, ka vendosur caktimin e masës së sekuestros preventive për një sipërfaqe toke prej 10 230 m2, ndodhur në Turizëm-Kanal i Çukës Sarandë, në afërsi të vijës bregdetare.

Në vazhdim, organi i akuzës po vijon punën për vleftësimin në gjykatë të urdhrave të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurisë për 10 persona të dyshuar për veprat penale “shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ‘pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, falsifikimi i dokumenteve’ parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.

Në këtë veprimtari dyshohet se janë të përfshirë nëpunës shtetërorë, biznesmenë dhe shtetas të tjerë.