Rama: Vijon puna për ujësjellësin e Sarandës, që do furnizojë me ujë të pijshëm lagjen “Baba Rexhepi” dhe Logu i Dardhës

Në qytetin e Sarandës është duke u investuar për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit i cili do të furnizojë me ujë të pijshëm lagjen “Baba Rexhepi” dhe Logu i Dardhës.

Aktualisht këto zona informale kanë mungesë të theksuar të furnizimit, një problematikë e mbartur ndër vite, ndërsa përmes këtij investimi synohet t’i jepet zgjidhje kësaj situate duke e përmirësuar ndjeshëm.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e AKUM, Klevis Jahja ndoqën nga afër punimet që po bëhen në këtë zonë.

Gjithashtu edhe kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet nga ky investim ku shkruan:

“Sarandë – Vijon puna për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit, i cili do të përmirësoj rrënjësisht furnizimin me ujë të pijshëm për dy lagje të këtij qyteti.

Ndërkohë po vijon puna për reformën në këtë sektor jetik”, shkruan Rama.

Referuar investimeve në zonën e Sarandës, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se përfundimi i rrugës Kardhiq-Delvinë, si dhe përmirësimi i infrastrukturës në rrugën e pikës kufitare të Qafë Botës do të rrisin akoma edhe më shumë fluksin e vizitorëve duke nisur që ka ky sezon turistik.