Preferencat: Pas serbëve, gati dynja boshnjake drejt Sarandës e Ksamilit

Mali i Zi është një nga vendpushimet e preferuara të boshnjakëve, gjë që nuk është për t’u habitur – qytetet e tyre janë disa orë larg me makinë, plazhet janë me rërë dhe qytete si Budva janë të njohur për jetën e tyre të natës, ndërsa çmimet – të paktën deri më tani, kanë qenë mëse e përballueshme, shkruajnë kështu mediat e Sarajevës

Por theksohet më tej, “Shqipëria është kthyer në një destinacion interesant vetëm vitet e fundit, por jo vetëm për turistët tanë, por edhe për shumë ballkanas”.

Edhe pse është rreth 12 orë me makinë larg nga Bosnja, avantazhet janë sepse çmimet janë shumë të përballueshme, si akomodimi, ashtu edhe ushqimi dhe pijet, dhe plazhet duken si ato nga përrallat. Gjithashtu, Greqia është ngjitazi.

Konkretisht, ofrohet një variant se sa do të kushtojnë shtatë ditë për dy persona dhe për një familje prej katër anëtarësh: dy të rritur dhe dy fëmijë.

Ksamili

Ksamili është një vend i vogël me pamje nga deti Jon me vetëm 3000 banorë, por tashmë është ndër tre destinacionet më të dëshirueshme në këtë vend. Në vitin 2013, media me famë botërore The Guardian e përfshiu Ksamilin në 20 plazhet më të mira evropiane për pushime.

Ndodhet afër kufirit me Greqinë dhe njihet për ujin e pastër dhe ngjyrën bruz të detit. Temperatura mesatare ditore gjatë verës është 28 deri në 30 gradë, kurse natën është 18 deri në 20 gradë.

Kur bëhet fjalë për çmimet për dy persona, hotelet ofrojnë një shumëllojshmëri opsionesh – nga 400 euro për vendndodhje afër plazheve, deri në 900 euro me mëngjes të përfshirë.

Banesat dhe hotelet për familjet me katër anëtarë ofrojnë oferta shumë të mira – një numër i madh i tyre japin shtatë ditë me një çmim prej rreth 700 euro. Të gjitha apartamentet kanë oferta të ngjashme – me të njëjtin çmim ata japin të gjithë shtëpinë për përdorim përgjatë plazheve të famshme, madje dhe mundësinë e anulimit falas.

Sarandë

Për ata që e duan Greqinë duhet të zgjedhin qytetin e Sarandës sepse është shumë afër aeroportit të Korfuzit. Thuhet se ky qytet ka më shumë se 300 ditë me diell gjatë vitit. Plazhet Afrika, Mango dhe Flamingo janë më të njohurit.

Pasqyra dhe Shpella e Pëllumbave janë plazhet pranë këtij qyteti, dhe thuhet se janë më të bukurit në të gjithë Shqipërinë. Po çmimet?

Rreth 600 euro kushton një nga opsionet e hoteleve të renditura mirë, të cilat janë afër plazhit dhe kanë mundësinë e anulimit falas – kur bëhet fjalë për dy persona. Ka apartamente dhe vila me vlerësime shumë të mira që ofrojnë çmime që variojnë nga 400 deri në 600 euro. Hotelet më të shtrenjta ofrojnë opsione rreth 1000 euro, pasi janë dhe afër plazheve të bukura.

Familjet në këtë qytet do të gjejnë opsione shumë të mira. Kështu, shtatë netë për dy të rritur dhe dy fëmijë me mëngjes, mund të hasësh një çmim prej vetëm 450 euro, gjë që është e rrallë. Në të njëjtën periudhë mund të gjeni apartamente me një çmim prej 300 euro, shkruajnë kështu mediat boshnjake, duke i mëshuar fort Sarandës dhe Ksamilit.

Kujtojmë se serbët e kanë bërë para tyre, gjë që u reflektua sezonin e kaluar, që përgjithësisht foli serbisht në Sarandë e Ksamil.