Piloti shqiptar që ëndërron Formula 1, Lirim Zendeli: Do qëndroj në Ksamil 1 javë, deti më i bukur në Europë

Ka lindur në Bokum të Gjermanisë, por flet një shqipe perfekte. Lirim Zendeli me origjinë nga Maqedonia e Veriut, synon të jetë shqiptari i parë në Formula 1.

“Do jap gjithçka. Me shumë punë mendoj se është akoma e arritshme dhe besoj se mund tia dal,”-u shpreh Lirim Zendeli, pilot.

Megjithatë, rruga drejt synimeve të mëdha, ka pengesa.

“Buxhet nuk kam fare, nuk kam as kontratë këtë vit,”-deklaroi Lirim Zendeli, pilot.

Në një intervistë për Report Tv, pilotii automobilizimit që ndodhet asktualisht në Shqipëri, zbulon problemet që e larguan nga gara e Formula 2 dhe rikthimi pak kohë më parë në një kategori më të ulët, Formula 3.

“Dallohet edhe që nuk jam duke garuar dhe kështu u ktheva në Formula 3. Ishte shumë kënaqësi, një ndienjë shumë e mirë. Plus që duhet të qëndrosh pak në formë, në ritëm. Nuk është mirë ta humbësh gjithë vitin pa garuar dhe do jem shumë i kënaqur nëse më vjen mundësia për të garuar edhe njëherë në pistë,”-tha Lirim Zendeli, pilot.

Deri më tani Zendeli ka qenë në Shqipëri vetëm për punë, por këtë herë këmbëngul se nuk do largohet pa shijuar riverierën për të cilën ka dëgjuar se është ndër më të bukurat në Europë.

“Nuk jam këtu shpeshherë, por këtë herë me vëllain dhe shokun tim do qëndroj në Ksamil për një javë. Kam ardh këtu në Tiranë 2-3 herë, kam qenë pak në Durrës, në Vlorë dhe kam parë disa qytete, por skam qenë kurrë në detin tonë që njihet si më të bukurit këtu në Europë. Tani do ta shoh me sytë e mi,”-u shpreh Lirim Zendeli, pilot.

Saherë ndodhet në trevat shqiptare Zendeli tërheq vëmendjen e njerëzve të cilët kërkojnë me ngulm një foto me të, ndërsa ky detaj për 22-vjeçarin është domethënës.

“Më bën të ndihem shumë krenar. E ndiej veten si i veçantë. Do të thotë se puna, sfidat që ke kaluar nuk kanë qenë kot,”-deklaroi Lirim Zendeli, pilot.