Makina plot me klandestinë, trafikanti i ikën policisë në Gjirokastër, shpallet në kërkim

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Gjirokastër, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “ROAD GUARD 27”, si rezultat i të cilit u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. K., 38 vjeç, banues në Tiranë.

Shpallja në kërkim e tij u bë pasi, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, Gjirokastër, shërbimet e policisë i kanë bërë shenjë ndalimi shtetasit A. K., i cili po drejtonte automjetin tip “Benz”, por ai nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar mjetin, të cilin e ka braktisur në afërsi të fshatit Mashkullorë.

Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi A. K. po transportonte 5 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit. Vijon puna për kapjen e këtij shtetasi dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti.

Materialet në ngarkim të shtetasit të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.