Në një front kundër dhunës në familje

Mekanizmi kundër dhunës kërkohet të jetë veprues, parandalues e refuzues ndaj çdo rasti dhe në mbrojtje të viktimave të dhunës.

Përfaqësues të institucioneve që përfshihen në këtë Mekanizëm, në krye të të cilit është Kryebashkiaku Adrian Gurma, diskutuan për nevojën e forcimit të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit, si një front i vetëm.

Kryetari Gurma tha se puna e konsideruar shpesh si e padukshme, që është ndërgjegjësimi, duhet të zerë më shumë vend.

“Është çështje fryme radhë të parë”, nënvizoi Kreu i Bashkisë Gurma, i cili tha se kërkohet të kemi edhe qasje njerëzore, si familjarë dhe prindër që jemi.

Folës të ndryshëm shprehën nevojën për rritje të angazhimit për të parandalur dhe për t’u dhënë më shumë vëmendje rasteve që referohen dhe të ofrohet mbështetje atyre që kërkojnë mbrojtje.

Në takim u soll përvoja e punës së mirë që është bërë nga drejtoria e Politikave Sociale në Bashki, me krijimin edhe të Qendrës Multifunksionale, nga mbështetja e dhënë nga Komisariati i Policisë, nga reagimi në kohë dhe asistenca e dhënë Shoqatës “Jona”, e mbështetur edhe nga ambasada suedeze, nga aksesi që ka krijuar Zyra e Punësimit, Zyra Vendore Arsimore etj.

U tha se shtimi numerik i rasteve të dhunës është i lidhur edhe me daljen në sipërfaqe dhe referimin e rasteve që diheshin dhe nuk trajtoheshin. Me shumë impakt u vlerësua trefishimi i ndihmës financiare nga shteti, aplikimi i kritereve lehtësuese për përfitimin e ndihmës edhe përtej kohës së urdhërit të mbrojtjes.

Reakiteti i ofrimit të këshillimit dhe ndihmës juridike falas, bonusi i strehimit dhe orientimi drejt punësimit, u përmendën si faktorë të rëndësishëm në mirëfunksionimin e Mekanizmit të koordinuar për minimizimin e rasteve të dhunës në familje.