Belinda Balluku publikon fotot nga segmenti Shijan-Ura e Gajdarit: Punimet janë drejt fundit
Punimet për rehabilitimin e segmentit rrugor Shijan-Ura e Gajdarit prej 5.5 km, pjesë e aksit Kardhiq-Delvinë janë drejt përfundimit.
Lajmin e bërii të ditur sot ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila publikoii disa foto nga punimet në këtë aks.
Balluku u shpreh se, “në segmentin Shijan-Ura e Gajdarit, pjesë e aksit Kardhiq-Delvinë, janë drejt fundit punimet rehabilituese për zgjerimin dhe rritjen e sigurisë të këtij segmenti”.
Sipas Ballukut, kjo ndërhyrje “do ta sjellë këtë segment në parametrat e duhur duke lehtësuar aksesin drejt Sarandës”.
“Po punohet me ritme të shpejta për të qenë gati për datën 2 korrik kur do të hapim për qarkullimin e automjeteve aksin Kardhiq-Delvinë”, theksoi më tej Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi dje punimet në këtë segment, i cili do të hapet provizorisht për tu përdorur gjatë këtij sezonit veror.
Më pas, në muajin tetor në këtë aks do të shtrohet edhe shtresa e fundit asfaltike. Aksi është zgjeruar nga 6 metër në 10.5 metër. Po ashtu, është bërë rregullimi i kthesave dhe disa pjerrësive.
Duke nisur nga data 2 korrik edhe tuneli i Skërficës parashikohet të hapet për qarkullimin e automjeteve. Aktualisht po betonohen metrat e fundit të tunelit, ndërsa paralelisht po vijon puna edhe për sistemin e ndriçimit dhe atë elektromekanik.