Transportonin emigrantë nga vende të treta, 2 në pranga në Gjirokastër

Policia e Gjirokastrës po vijon operacionet për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt fitimit.

Në këtë kuadër u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “ROAD GUARD 17”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga 2 shtetas pasi transportonin 11 emigrantë nga vendet e treta.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore në bazë të informacioneve policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “ROAD GUARD 17”.

Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit Xh. S., 21 vjeç dhe B. A., 31 vjeç, banues në Durrës.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë Rrugore kapën në flagrancë, në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavije, shtetasit Xh. S. dhe B. A., duke transportuar me një automjet tip furgon, 11 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, tre aparate celulare dhe 50 euro.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.