REPORTAZHI/ “Eja në Sarandë”, çelet sezoni “Verë 2022”
Në një atmosferë festive, me prani të mijëra qytetarëve, pushuesve e vizitorëve të shumtë dhe me veprimtari të shumëllojta e të shtrira përgjatë gjithë shetitores, Saranda zyrtarizoi nisjen e sezonit të ri turistik për vitin 2022. Shetitorja ishe skenë dhe sallë e hapur për ndjekje të performancave të grupeve të folkut, të grupit të violinave e të valleve, numrave të aerobisë dhe valleve me motive qytetare. Punuesit e tregtuesit e suvenireve turistike ishin si në një panair që shtrihej përgjatë shetitores në afërsi të Plazhit të Ri, për t’u zgjatur deri tek shatërvani.
Një artizan në vijim të ryre realizoi në sytë e publikut suvenire me guaska deti, më tej piktorja që gjithashtu hiqte penelata dhe realizonte live peizazhin, gdhendësi i mermerit nxirrte në çast figurina të ndryshme. Në vijim vinin tryezat me objekte interesante, realizuar me materiale të ricikluar, me logon e Qendrës Sociale të “Motrave Marcelina”, të shkollës jopublike “Dea”, shkollave “9 Tetori” e “Adem Sheme” dhe gjimnazit “H.Tahsini”. Profesionistët e rinj të turizmit, recepsionistë, hoteleierë e kuzhinjerë që përgatiten në shkollën e Hoteleri-Turizmit “A.Athanas”, treguan se ata bëjnë diferencën me recetat dhe mënyrën e servirjes dhe promocionit.
Ekspozitat e nxjerra në shetitore për publikun, ishin disa llojesh: ti mund të informoheshe dhe të zgjidhje destinacionin tënd të kësaj vere, duke mos u mjaftuar me atraksionet e Sarandës, por duke “shkrirë” kufijtë territorialë. Ekspozita fotografike e Luan Qendros ishte një udhëtim me imazhe në 100 vite Bashki. Me sfond superspirancën e Sarandës, një ekspozitë tjetër fotografike dhe dokumentare i dedikohej historisë dhe personazheve të detarisë sarandiote, të flotës detare, tregtare dhe peshkimit. Shikues të shumtë tërhoqi ekspozita në karikaturë e mjeshtrit Bujar Kapexhiu. Vizita e tyre prej publikut u parapri nga ndalja në këto stacione e personaliteteve publike.
Kryetari Adrian Gurma në këto vizita shoqërohej nga homologët Pjerin Ndreu, Kryebashkiak i Lezhës, Tërmet Peçi, kryebashkiak i Tepelenës dhe Majlinda Qilimi, Kryebashkiake e Delvinës, Kristo Kiço, Kryebashkiak i Finiqit, nga deputeti Niko Kuri, nga zëvendësministrja e Turizmit e Mjedisit, Vilma Bello, nga Prefekti i Vlorës Flamur Mamaj, nga ambasadori i Kosovës në Tiranë, Skënder Durmishi, konsulli i përgjithshëm i Greqisë në Gjirokastër, Dimitris Sacharidis, konsulli i Nderit i Italisë në Gjirokastër, Teodor Bilushi, si dhe nga CEO i Raiffeisen Bank, Christian Canacaris. Së bashku ata vijuan vizitat në ekspozitën e makinave Retro Albania, të vendosura në shetitore, si një atraksion më vete.
Ndërkaq, të prirë nga Banda muzikore e Qytetit dhe nga 12 nxënësit e shkollës së Gjashtës, që mbanin lart tullumbacet e gërmave ku lexohej sllogani “Eja në Sarandë”, kaluan para publikut kuadratet e më të spikaturve. Një kuadrat prijës formuan nxënësit e ekselencës nga shkollat e Bashkisë së Sarandës, që identifikoheshin nga baneri “Krenaria jonë”. Nuk munguan policët pedalues me uniformën verore që kanë në shërbim të sigurisë së sezonit, skuadra bay watch, infermjeret me bluzat e bardha, simbol i sigurisë shëndetsore, kuadrati i artistëve dhe sportistëve dhe fëmijët pedalues. Për fëmijët pati një zonë të dedikuar te Sheshi i Limanit, ku ata u përfshinë në performancën e animatorëve të ardhur nga Tirana.
Zemra e veprimtarive u bë skena e madhe e ngritur në shetitore. Nga lartësia e saj dhanë urimet dhe treguan për përgatitjet e sezonit të ri dhe për pritshmëritë e tyre për Cerën 2022, Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma dhe zëvendësministrja e Turizmit e Mjedisit, Vilma Bello. Urimi i tyre u shoqërua me hedhje fishekzjarresh nga bordi i anijeve turistike, nga sirenat e tyre dhe nga fluturimi i parashutistëve të Aeronautikës së Alket Islamit në Gjirin e Sarandës. Për më shumë se një orë skena ishte për artistët e Ansamblit të Këngëve e Valleve të TOB, që mrekulkuan me motivet e këngëve, valleve burimore dhe veshjet e tyre të bukura.
Pas tyre skena u nda mes humoristit Xhevahir Zeneli, këngëtares së mirënjohur Mariza Ikonomi dhe këngëtarit rinor të Kapital T. Të gjithë e ndezën atmosferën dhe ngritën peshë publikun. Një moment special ishte ai kur Kryetari Adrian Gurma u ringjit në skenë për të anoncuar fituesit e konkursit të oraganizuar nga Retro Abania, për disa nga tipet e makinave më të votuara drejtpërdrejt nga publiku dhe nga votimi online.
Ndërkaq, vizitat vijuan në tryezat e hotelerisë dhe restoranteve, ku prezantohej promocioni dhe recetat e kulinarisë së biznesit vendas. Ndalesa drejt portës përmbyllëse të aktiviteteve ishte në tavolinat e kampionëve të shahut që Saranda i ka dhënë Shqipërisë, si dhe në momentet e bukura të lojës në rërë beach voley e street bascet.
Festa vazhdoi deri vonë, duke ndjekur koncertet e artistëve, duke kaluar në paradën e makinave Retro, në kavaletat e ekspozitave, në tezgat e artizanëve, duke gustuar pijet apo gatimet e ofruara falas nga bizneset dhe shkollat. Ftesa “Eja në Sarandë” dhe urimi për sezon të mbarë, ishte kryefjala e ditës.