Rama: Unaza panoramike Lëkurës-Kanali i Çukës, gati këtë sezon

Rruga panoramike Lëkurës – Kanali i Çukës në Sarandë do jetë gati këtë sezon turistik.

Lajmin e bëri të ditur sot Kryeministri Edi Rama, i cili ndau pamjet nga kantieri i ndërtimit të kësaj unaze, e cila ndërtohet pjesërisht mbi gjurmën e rrugës ekzistuese.

“Kjo është unaza panoramike Lëkurës – Kanali i Çukës, në Sarandë që do jetë gati këtë sezon. Segmenti i ndërtuar pjesërisht mbi gjurmën ekzistuese, fillon nga hyrja e qytetit dhe përfundon në rrugën që të çon për në Ksamil”, tha Rama.

Unaza panoramike e Sarandës do të lehtësojë ndjeshëm fluksin e lëvizjes urbane kryesisht gjatë sezonit turistik, por do të japë në të njëjtën kohë tjetër qasje, koncept e zhvillim për zonën ku ajo kalon.

Rruga është e gjatë 2.33 km, e gjerë 11 m me gjerësi të brezit të kalimit të automjeteve 8 m dhe ka trotuare në të dy anët e saj me të gjithë elementët e tjerë të nevojshëm të infrastrukturës rrugore.

Saranda është një nga qytetet më të frekuentuara gjatë sezonit turistik. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në qytetin bregdetar do të lehtësojë lëvizjen e turistëve vendas e të huaj.