Piktorët mblidhen në Gjirokastër: 12 artistë nga e gjithë bota pikturojnë qytetin e gurtë

12 artistë nga vende të ndryshme të botës kanë shpenzuar një javë në një kamp arti në Gjirokastër.

Ata u frymëzuan nga Gjirokastra për të krijuar punët e tyre që përfshijnë elementë të dekorit tradicional, të zejeve, të artizanatit, të arkitekturës, bimësisë të historisë dhe personaliteteve me emër.

Ky kamp përveçse një ekspozim i potencialit dhe larmisë krijuese solli këndvështrime të reja sidomos në instalacion dhe punë që harmonizoheshin natyrshëm me mjedisin e ekspozimit në pazarin e Gjirokastrës.

Katerina vjen nga Ukraina. Ajo i është larguar përkohësisht luftës për të marrë pjesë në disa evente ndërkombëtare arti por thotë se ka lënë pas në Kiev djalin dhe nënën e saj. Gjirokastra nën këndvështrimin e saj erdhi me imazhin e përshkallëzimit të çative, një vepër që tërhoqi vëmendjen edhe për elementët abstraktë.

“Ky është një qytet me një arkitekturë të jashtëzakonshme. Unë u frymëzova nga guri, çatitë rrugët por ka diçka tek elementët e ndërtimit që është shumë potente. Edhe mënyra sesi banesat qëndrojnë në shpinë të njëra- tjetrës është e veçantë. Unë vij nga Kievi që tani është pak më i qetë krahasuar me zona të tjera ku ende luftohet. Kam djalin dhe nënën dhe lufta ka lënë trauma tek të gjithë. Është shumë e dhimbshme të humbasësh padrejtësisht miq dhe të afërm.”

Kampi realizohet në kuadër të Artech një program i Europës Krijuese dhe në edicionin e tij të dytë ishte një ftesë për të rinj krijues nga vende të ndryshme për tu bërë promotorë përmes artit ndërthurur me artizanatin, zejet dhe traditën lokale.

Idetë që u ekspozuan në qendrën historike të Gjirokastrës trajtuan artistikisht edhe aspekte të jetës së përditshme ku artistët punuan krahas artizanëve lokalë për të finalizuar punime ku kultura ndërvepron dhe edukon.