Memorandumi i Mirëkuptimit për furnizimin nga terminali në Vlorë, Rama: Hap drejt përmbushjes së vizionit Shqipëria 2030
Vizioni për Shqipërinë, vend eksportues i energjisë në rajon shënoi sot një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së tij.
Kryeministri Rama dhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo morën pjesë në nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit mes Overgas dhe Albgaz.
Kompania Overgas, ka shprehur interes për t’u furnizuar me gaz përmes Terminalit që do të ngrihet në Vlorë, një projekt me rëndësi të veçantë, i cili po bëhet realitet me kompanitë më të njohura amerikane.
Kryeministri Rama e konsideroi këtë memorandum një hap të rëndësishëm.
“Me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, në një tjetër hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së vizionit Shqipëria2030 eksportuese neto e energjisë. Furnizimi me gaz përmes Terminalit të Ri, që do të ngrihet në Vlorë, tanimë po zgjon interesa të shumanshme”, tha Rama.
“Është një moment i shënuar për një nga projektet tona më të rëndësishme dhe strategjike që ka të bëjë me gazifikimin e Shqipërisë, duke iu referuar projektit të Termocentralit të Vlorës të pjesës gazifikuese të portit lundrues që do të ndërtohet në Vlorë dhe padyshim të një hapi të madh që ne po hedhim duke e kthyer këtë projekt nga një projekt lokal në një projekt rajonal”, u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, gjatë ceremonisë së mbajtur me këtë rast.