Adrian Gurma në Kosovë: Fton turistët të pushojnë në Sarandë, premton se s’do të ketë rritje çmimesh

Në qytetin e Sarandës nuk do të ketë rritje çmimesh në këtë sezon turistike, ka thënë Adrian Gurma, kryetar i Bashkisë të Sarandës të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së.

Gurma ka thënë se Saranda ka larmi të ofertave turistike dhe se në qytet mund të pushojnë të gjithë, ata që duan të shpenzojnë pak, mesatarisht apo shumë.

“Nuk do të ketë asnjë rritje çmimesh sepse Saranda ka një larmishmëri ofertash turistike, aty mund të vijnë të pushojnë të gjithë llojet e turistëve. Unë kam marrë garanci nga bizneset turistike, që ata do të jenë në unison sa i përket çështjes së çmimeve. Saranda tashmë është një markë në turizmin shqiptar”, ka thënë Gurma.

Duke folur në veçanti për turistët nga Kosova, Gurma ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk po shkojnë më në Sarandë vetëm gjatë sezonit veror, por edhe gjatë sezoneve tjera.

“Qytetarët e Kosovës po bëjnë edhe ditët e zakonshme të javës në Sarandë dhe jo vetëm në muajt e sezonit veror. Kemi shumë kompani të cilat kanë marrëdhënie shumë të mira me operatorët tanë turistikë. Ne nuk i konsiderojmë kosovarë, ata janë qytetarë të Republikës së Kosovës që pushojnë në atdheun e tyre mëmë, të gjithë qytetarët e Kosovës që pushojnë në bregdetin e jugut vijnë dhe pushojnë në detin e tyre, te vëllezërit e tyre. Qytetarët kosovarë në Sarandë dhe në gjithë Shqipërinë janë në detin e tyre, në plazhin e tyre dhe tek vëllezërit e tyre”, është shprehur Gurma.

Ai ka shtuar se këtë vit pritet të ketë rritje të numrit të turistëve, pasi në dy vitet e kaluara ka pasur rënie si pasojë e pandemisë COVID-19.