Transportonte klandestinë, gruaja nga Saranda arrestohet në Tepelenë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë finalizuar me sukses operacionin policor “ROAD GUARD 12”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetases E. Sh., 41 vjeçe, banues në Sarandë.

Në aksin nacional Tepelenë – Krahës, në vendin e quajtur “Majkosh”, shtetasja E. Sh. u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke transportuar me automjetin e saj tip “Honda”, nga Saranda për në Tiranë, 5 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.