Transfertat sfilitëse për Butrintin: Klubit nuk i del koha për të… ngrënë

Butrinti u kthye pas 5 vitesh në Kategorinë e Parë dhe me objektiva të qartë. Mbijetesën as që duan ta diskutojnë, për të mos thënë që mund të tentojnë diçka më shumë. Dhe duhet thënë që sezonin e nisën më së miri, duke mposhtur në shtëpi një ekip si Pogradeci. Megjithatë, tani nis “malorja” e vërtetë për ta. Me kampionatin që ka ndryshuar formulë dhe zhdukjen e grupeve, u duhet të bëjnë transferta të stërgjata nga Jugu në Veri.

Një nga ndeshjet më të largëta e kanë pikërisht këtë të shtunë, kur do t’u duhet të marrin rrugën drejt Peshkopisë për të matur forcat me Korabin vendës. Janë në total 724 kilometra (vajtje-ardhje) për t’i bërë për vetëm 90 minuta. Lodhja sigurisht që do të bëjë të veten, por zgjidhjen e kanë gjetur. Do të nisen që kete te premte dhe do të akomodohen në qytetin verior, për të pasur mundësi që të qetësohen dhe jenë gati për ndeshjen që do të luajnë të nesërmen.

Por, drejtuesit kanë bërë edhe diçka tjetër. Nëse e gjithë java e 2-të e Kategorisë së Parë fillon në 16:00, Korabi-Butrinti bën përjashtim. Ajo do të startojë 60 minuta më herët dhe ndryshimi i axhendës është zyrtarizuar nga FSHF-ja, pas një kërkese të bërë prej sarandjotëve. Edhe pse do të grumbullohen te premte, hallin e kanë për kthimin. Nëse do të fillonte sipas planit fillestar, nuk do t’u dilte koha për të ngrënë. Me orarin e ri policor që është në fuqi prej ditësh, nuk kanë mundësi që të gjejnë asnjë restorant hapur. Federata e ka konsideruar të arsyeshme këtë kërkesë dhe direkt ka dhënë OK-in.

E megjithatë, ky është vetëm fillimi për Butrintin. Kjo nuk është e vetmja transfertë sfilitëse për ta, pasi edhe në Pukë do të vuajnë jo pak. Janë 20 kilometra më shumë (744 km vajtjeardhje), që përkthehen në zgjatje të rrugëtimit dhe mbi të gjitha lodhje. Gjithsesi, sarandjotët janë gati që të kalojnë çdo lloj pengese. Aq të etur janë për të luajtur në këtë ligë, saqë e kanë marrë përsipër edhe këtë siklet.