Sarandë: Kujtohen e nderohen ata që mbrojtjen e kufijve në dekada, kanë të lidhur jetën

Integriteti i kufijve shtetërorë dhe mbajtja e paprekur e tyre, ka dashur shumë sakrificë e deri dhe humbje të jetëve në shërbim.

Kujtimin dhe nderimin për të gjithë ata që kanë shërbyer si ushtarakë të përkushtuar dhe për familjet e tyre, kishte për qëllim takimi mes brezave të kufitarëve të Sarandës. Organizatore e këtij takimi ishte Shoqata e “AKUSH” dega e Sarandës.

Kryetari i saj, Subi Hida, falenderoi të pranishmit në këtë takim mes brezave të kufitarëve. Bilbil Resuli, ish-kuadër drejtues i forcave të kufirit, foli për vështirësitë dhe sakrificat që kërkonte shërbimi për ruajtjen e kufijve të paprekur nga shkelësit.

Ushtaraku në detyrë Përparim Xhaferi tregoi për reformimin që kanë pësuar në kushtet e sotme forcat e kufirit, ndërsa ish-kuadri Asim Canaj foli për aktet heroike të tre dëshmorëve të ish Batalionit të Kufirit në Livadhja, të rënë në krye të detyrës.

Disa nga të pranishmit që kanë patur të lidhur jetën dhe karrierën ushtarake me ruajtjen e kufijve, sollën kujtime nga ky shërbim në dekada të shkuara.

Në takimin e brezave të kufitarëve të Sarandës, ishin edhe Kryebashkiaku i Sarandës, Adrian Gurma, deputetja e zonës, Anila Denaj, Prefekti i Qarkut Vlorë Flamur Mamaj etj.

Kreu i Bashkisë Gurma përshëndeti nismën për të evokuar traditën dhe vlerat më të mira në shërbim të integritetit të kufijve shtetërorë. Për ish-kuadrot më të spikatur dhe për lidhjet që ata vazhdojnë të mbajnë me komunitetin dhe me kufitarët e sotëm, u dhanë Çertifikata Mirënjohjeje, nënshkruar nga Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma.