Kumbaro kërkesë Komitetit të Ekspertëve: Presim që nga maji të hiqet detyrimi për vërtetimin e vaksinimit

Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro teksa po tregonte vendimet e fundit të qeverisë, ka kërkuar nga Komiteti i Ekspertëve që të rishikojë detyrimin e sistemit të green pass-it.

Ajo ka kërkuar që ky detyrim të hiqet nga maji, në mënyrë që të çlirohet hyrja e vizitorëve të huaj në Shqipëri.

“Turizmi ka qenë një sektor mjaft i prekur prej krizave të njëpasnjëshme. Qeveria mori vendimin për të liberalizuar sistemin e vizave turistike për 8 vende. Në mbledhjen e sotme u diskutua dhe një kërkesë e komunitetit të biznesit të turizmit që ka të bëjë me rishikimin e sistemit të detyrimit për të treguar në kufi vërtetimin e vaksinimit, green pass.

Ne presim që Komiteti i Ekspertëve të marri në konsideratë të shohë që duke filluar nga maji të hiqet ky detyrim që të çlirojmë hyrjen e vizitorëve të huaj në Shqipëri”, tha ajo.