Interpelanca/ Zhupa i drejtohet Kushit: Jeni akuzuar për plagjiaturë! Ministrja: Sollët periudhën më të errët të arsimit

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ka mbajtur një interpelancë me ministren e Arsimit Evis Kushi.

Zhupa iu drejtua ministres duke thënë se është një ndër të akuzuarat për plagjiaturë, duke shtuar se tashmë duhet të kishte përfunduar kontrolli i të gjithë titujve akademikë në universitetet e vendit tonë.

“Dibranët thonë në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari. Ju jeni vetë një nga të akuzuarat për plagjiaturë.

Duhet të ishte mbaruar tashmë kontrolli anti plagjiaturë dhe rishikimi i titujve akademikë. Në këto tre vjet duhet të kishit bërë kontrollin anti plagjiaturë për pedagogët në radhë të parë.

Duhet të ishte miratuar ligji i ri për kërkimin shkencor. Duhet të ishte krijuar arkivi digjital i doktoraturave. Keni premtuar që në vitin 2019 kodin e cilësisë. Në momentin kur kurrikula ecën në një drejtim dhe biblioteka ecën në një drejtim tjetër nuk e di kush janë detyrat e ministrisë tuaj”, tha Zhupa.

Nga ana tjetër ministrja tha se në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike, arsimi ishte në periudhën më të errët.

“Një pjesë e madhe e këtyre ministrave janë gdhirë natën e tërmetit dhe vazhdojnë të jetojnë me trauma. Kjo duhet të jetë prioritet për ne për të vazhduar punën. Më duket papërgjegjshmëri të thuash mos na i përmendni më këto se na lodhët.

Nëse i keni përjetuar ato ditë si shqiptarët e tjerë nuk duhet t’i hiqni nga mendja. Në pjesën e parë të interpelancës i qëndrova strikt raportimit për atë që kemi bërë ne. Ju do të mbaheni mend si ajo qeveri që ka sjellë periudhën më të errët të arsimit në Shqipëri”, deklaroi Kushi.