Zv/ministrja e Bujqësisë: Vatër e re me gripin e shpendëve në qarkun e Vlorës

Zëvendësministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ermira Gjeçi duke folur për situatën e gripit të shpendëve në vendin tonë, bëri të ditur se në 24 orët e fundit është konfirmuar një rast i ri në qarkun e Vlorës, në fshatin Aliban.

“Në 24 orët e fundit kemi një vatër të re infeksioni në qarkun Vlorë. Nuk kemi asnjë stabiliment me drejtim prodhim për mish të infektuar”, tha Gjeçi gjatë një konference për shtyp.

Zv/ministrja vuri në dukje se strukturat janë duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme të gjithë territorit dhe se po vijon fushata sensibilizuese për informimin e fermerëve mbi evidentimin dhe raportimin e rasteve të dyshuara.

“AKVMB vazhdon kontrollet në ferma me drejtim prodhimtari vezë, mishi dhe miks, në të gjithë territorin e vendit. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vazhdon rregullisht kontrollet në të gjithë territorin e vendit. Nuk janë konstatuar shkelje apo problematika. Kemi marrë zotim nga bashkitë për bashkëpunim të plotë në lidhje me marrjen e masave për ndalimin e tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura të pamiratuara për shtije”, deklaroi Gjeçi.

Ajo siguroi se ushqimet në tregun tonë, në qendrat e licencuara, janë të kontrolluara.

“Konsumatori shqiptar është e rëndësishme të ndihet i sigurt, se ushqimet në tregun tonë, në qendrat e licencuara janë të kontrolluara. Nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperatura më të larta se 70 gradë Celsius”, tha ajo.

Zv/ministrja u bëri thirrje qytetarëve që nëse konstatojnë shenja të dyshimta për influencë aviare në ferma apo oborre të kontaktojnë menjëherë veterinerin zyrtar të zonës, ose të telefonojnë falas në numrin e gjelbër 0800 33 66.