Kumbaro në Gjirokastër: S’ka turizëm pa mjedis të pastër
Në Gjirokastër ka nisur me prioritet puna e shpejtë për rehabilitimin e plotë të venddepozitimit të mbetjeve në Gerhot, një hapësirë me pamje apokaliptike shumë afër qytetit që ka qenë një plagë mjedisore.
Kryeministri Edi Rama theksoi se “në fillim të muajit maj përfundon i gjithë investimi”. “S’mund të nisim një sezon tjetër turistik pa mjedis të pastër, e aq më pak të kemi pamje të tilla në qytetet më të bukura të vendit tonë”, tha Rama, ndërsa ndau pamjet nga ky venddepozitim mbetjesh, i cili u inspektua nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
“S’mund të kemi turizëm pa një mjedis të pastër”, u shpreh ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro gjatë vizitës në Gjirokastër, ku po kryhet rehabilitimi i venddepozitimit të mbetjeve.
Në një sipërfaqe rreth 15 mijë metra katrorë, për mbi tridhjetë vite, mbetjet janë depozituar në këtë zonë që është shumë pranë qendrës së qytetit, duke u kthyer në një problem të rëndë mjedisor.
E shoqëruar nga kryebashkiaku, Flamur Golemi dhe ekspertët e GIZ që po asistojnë projektin, Kumbaro sqaroi se me hapjen e rrugës së re Kardhiq-Delvinë, mbetjet e Gjirokastrës do të depozitohen në landfillin e Bajkajt.
“Kjo është çfarë Gjirokastra prodhon dhe ne s’mund të kemi Gjirokastrën e UNESCO-s dhe Gjirokastrën e turizmit pa Gjirokastrën që menaxhon këto mbetje. Gjirokastra është qytet i botës, jo vetëm i Shqipërisë, prandaj nuk mund të zhvillojmë turizmin dhe të promovojmë Gjirokastrën, ndërkohë që kemi një plagë të tillë mjedisore. Kjo është faza e parë. Faza tjetër paralele është edukimi i qytetarëve që të mos i hedhin mbetjet lart e poshtë por vetëm në kosha dhe të ndara”, u shpreh Kumbaro, duke kujtuar gjobitjen e 16 familjeve në lagjen Dunavat për hedhje të mbeturinave në territor.
Kumbaro po ashtu bëri thirrje që mbetjet organike të kompostohen. “Nuk ka kuptim që mbetjet e gjelbra që dalin nga arat, nga kopshtet, nga bahçetë të vijnë të gjitha këtu. Ato duhet të kompostohen, të mbeten në vend. Ky mali i plehrave që është këtu do të dhjetëfishohet duke qenë se shtohet konsumi dhe turistët. S’mund t’ia dalim duke hedhur gjithçka në plehra”, tha Kumbaro.
Ministrja tha se me plotësimin e hartës me pika fundore të trajtimit të mbetjeve, është domosdoshmëri ndarja në burim për riciklimin e mbetjeve. Kjo gjë do të ndihmojë në uljen e vëllimit të mbetjeve që shkojnë në pikat fundore.
“Kemi kërkuar rritjen e zërit të pastrimit në buxhetin e çdo bashkie këtë vit. Do të jetë një vit i kthesës në menaxhimin e mbetjeve në gjithë vendin. Por është një luftë shumë e gjatë, luftë që nuk e kemi bërë për 30 vite, luftë që po e bëjmë tani”, shtoi Kumbaro.
Kryebashkiaku Golemi tregoi se ky është një investim i shumëpritur në zonë.
“Një problem i kahershëm i qytetit, sepse flasim për një qytet që pret mbi 100,000 turistë në vit dhe gjithmonë e më tepër numri rritet. Kështu rritet edhe konsumi. Vetëm për pjesën e qytetit, kemi 16-18 ton mbetje në ditë. Ne e shohim tani, por gjatë verës është e padurueshme të qëndrosh këtu. Është një zonë shumë problematike”, tha gjatë inspektimit të punimeve kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi.
Kohëzgjatja e punimeve të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, bashkisë Gjirokastër dhe GIZ për rehabilitimin e kësaj zone parashikohen 12 javë, për të qenë gati brenda fillimit të muajit maj që shënon edhe nisjen e sezonit turistik.