Edi Rama me furnizuesit: Protestojnë për naftën, por më e rënda është kriza e energjisë, e cila është pandemia e re

Në një takim me furnizuesit e naftës, kryeministri Edi Rama foli për zhvillimet e reja dhe rritjet e çmimeve të naftës dhe ushqimeve që, sipas tij, erdhën si pasojë e luftës në Ukrainë.

Sipas Ramës, njerëzit kanë dalë në rrugë për naftën, por nuk e dinë se kriza e re është ajo energjetike.

“Nuk është detyra dhe as përgjegjësia e qeverisë në një sistem demokratik, ku me kushtetutë është caktuar liria e tregut që të ndërhyjë në çështjen e çmimeve. Por sot është e qartë për të gjithë dhe insistoj që ne mund të jemi të ndarë në opinione, por të bashkuar në fakte.

Vendi ynë po përballet me pasojat e një lufte që ka nisur në Europë. Këtë luftë nuk e kemi nisur ne dhe nuk e dimë se sa do të zgjasë.

Sigurisht që rritja e çmimeve, filloi t’i jepte shenjat e para në gjysmën e dytë të vitit të shkuar në të gjithë botën, si rezultat i një ringritje ekonomike nga faza akute e ekonomisë dhe për rrjedhojë i një kërkese shumë të rritur.

Muaj më parë u shfaqën simptomat e para të krizës energjetike. Protestojnë për naftën, por më e rënda është kriza e energjisë, e cila është pandemia e re”, deklaroi Rama.