Ambasada Britanike ekspozitë për Butrintin me rastin e 100- vjetorit të mardhënieve diplomatike, Alastair King-Smith: Një xhevahir i trashëgimisë kulturore

Për të festuar 100-Vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, u çel një ekspozitë me materiale unike nga Arkivi Arkeologjik i Butrintit, në prani të Kryetares së re të Fondacionit Butrinti, Emily Rothschild dhe organizuar nga “Fondacioni Bardha”.

Materiali mbresëlënës i ekspozuar është pjesë e arkivit të Fondacionit Butrinti. Ai tregon punën e mundimshme arkeologjike të kryer gjatë tridhjetë viteve të fundit në Butrint dhe përbën një dokumentacion kërkimor dhe vizual mjaft të dobishëm jo vetëm për akademikët dhe historianët, por edhe për publikun e gjerë.

“Butrinti është një xhevahir në kurorën e trashëgimisë së pasur kulturore të Shqipërisë. Nuk është thjesht një vend arkeologjik, jo thjesht një vendngjarje historie ndër shekuj, por edhe një vend lidhjeje, njerëzish dhe zhvillimi për të ardhmen.

Ndaj është kënaqësi për mua të kremtoj me ju punën e mahnitshme të Fondacionit Butrinti. Fillimisht i ngritur si organizatë bamirëse në Mbretërinë e Bashkuar për të ruajtur, mbrojtur dhe zhvilluar këtë objekt të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, tashmë “Fondacioni Butrinti është një organizatë tërësisht shqiptare e cila do të vazhdojë punën dhe mbrojtjen e Butrintit si një vend bukurie, natyre dhe mahnitjeje,” tha ambasadori Alastair King-Smith.