Si e gjen Sarandën ardhja e shkurtit?

Ç’përfaqëson ikja e janarit dhe trokitja e shkurtit për Sarandën?

Kolegu Thoma Nika bëri raportimin e përjavshëm në Radio Tiranë, duke vizatuar aktualitetin në qytetin që edhe pa e nis të tërheqë vizitorë, derisa të arrijë kulmin në sezon.

“1 shkurti bëri një ndarje si me thikë prej ditëve me diell dhe fundjavës me lëvizje turistike, ku u pa edhe ngacmimi i interesit për turizëm të udhëtimeve në natyrë, deri sa të vijë sezoni i plazhit”, e nis raportimin kolegu Nika, duke vijuar më tej:

“Nuk ishte fare rastësi që, në vijim të fundjavës diellore, siç dita e fundit e janarit ishte, Saranda zgjodhi të bëjë promovimin e dokumentarit premierë “Saranda e bukurive”.  Në prani të një elite intelektuale, të njerëzve të fushës së krijimit e të mediave. Tashmë mund të themi se Saranda e ka një produksion, ku historia, tradita, asetet, e sotmja dhe projeksioni për të nesërmen e saj, vijnë si një rrëfim filmik nga personazhe dhe personalitete të spikatur. Nuk është vetëm çështje teknologjie e mjeshtërie të dy grave të ekranit publik: Vasilika Londos e Ketrin Gjoçajt, por, mbi të gjitha, çështje dashurie për Sarandën, që ato e dhanë të tërën.

Zhvillime të tjera lidhen me rritjen e lobimit kundër hartës së re gjyqsore, me pasojë ikjen e institucionit të Gjykatës nga Saranda. Ndërkaq, zhvillim për të mos u anashkaluar është vendimmarrja më e fundit lokale, që bind për profilin social të Bashkisë së Sarandës, apo vemdimmarrja në fushën e shërbimit taksi në qytetin e turizmit.

Me gjasë, këtë vit Saranda do të ketë prekur ëndrrën për të patur një orkestër frymore të fëmijëve. Për këtë mbushin me besim fëmijët nga 8 në 14 vjeç, që i drejtohen Qendrës Kulturore të Fëmijëve për audicionet e hapura. Surpriza e audicioneve është prania e më shumë vajzave në to. Do të ishte fantastike një Bandë Muzikore Fëmijësh, e dominuar nga instrumentiste vajza të kësaj Sarande”.