Pezullimi i zgjedhjeve në FSHF erdhi pas padisë nga Akademia Luftëtarit

Gjykata e Tiranës vendosi që të pezullojë procesin zgjedhor për organet drejtuese të Federatës Shqiptare të Futbollit. Ky vendim erdhi si pranim i kërkesës së klubit të futbollit “Akademia Luftëtari” i cili me pretendimin e manipulimit të këtij procesi, pas kallëzimit penal, kërkoi pezullimin e procesit.

Më 30 janar të këtij viti Akademia Luftëtari kishte bërë kallëzimin penal ndaj Ilir Shulkut si Sekretar i Përgjithshëm i FSHF dhe Sadik Sadikaj si kryetar i Shoqatës Rajonale të Gjirokastrës për “Falsifikimi i dokumenteve”, “Shpërdorim detyre”, “Ndërhyrje në sisteme kompjuterike” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.

Disa ditë më parë, Drejtoria Juridike e Federatës në një komunikim tha se për garën e brendshme, çdo anëtar i Federatës duhet të respektojë statutin që e kanë miratuar vetë, duke iu drejtuar Lozanës.

Federata njoftoi këtë të enjte se Komiteti Ekzekutiv i saj miratoi materialet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore që mbahet në 2 Mars. Këtë fundjavë pritet dhe raporti i të dërguarve specialë të UEFA për procesin zgjedhor të 2 Marsit.