Pallati që çoi në burg drejtoreshën e Bashkisë Sarandë, me leje ndërtimi të shtyrë nga gjyqtari i Gjirokastrës që zhbllokoi 7 ton ushqime të skaduara

Arrestimi i drejtoreshës së Inspektoriatit Vendor të Mbrotjes së Territorit në Bashkinë Sarandë, Romina Pulaj, ekspozon edhe një anë tjetër të masakrës që është bërë me lejet e ndërtimit në Shqipëri duke përdorur edhe sistemin e korruptuar të drejtësisë.

Sa i përket pallatit 7 katësh për të cilin u arrestua Pulaj, rezulton se leja e ndërtimit është miratuar në vitin e largët 2006.

Normalisht që ajo do duhej të ishte shuar pas një afati të caktuar, por përmes vendimeve gjyqësore është shtyrë vazhdimisht.

I fundit nga gjyqtarët që ka firmosur shtyrjen e saj është Elidon Papazisi, gjyqtari i Gjykatës Administrative Gjirokastër.

Ai ka shpallur vendimin në shtator 2020 duke lënë 36 muaj afat për kryerjen e punimeve. Si është e mundur që një leje ndërtimi e përpara 16 viteve t’i ketë rezistuar edhe miratimit të planit të përgjithshëm vendor të Sarandës për kaq shumë kohë? Duket absurde që kjo leje të jetë valide për kaq shumë vite. Gjyqtari që e ka dhënë i fundit vendimin për shtyrjen e saj është larguar nga detyra për t’i shpëtuar vettingut.

Kujtojmë gjithashtu se Elidon Papazisi është ai që zhbllokuar me vendimin e tij 7 ton ushqime të skaduara. Për këtë rast zv.kryeministri i kohës, Erion Braçe, kishte kërkuar hetim të tij. Por bëmat e Papazisit nuk mbarojnë me kaq. Ministri Bledi Çuçi i kishte bërë një letër ILD dhe KLGJ për hetim të gjyqtarit Papazisi pasi me vendimet e tij “KÇK” ishte bërë pengesë për operacionin e IKMT për prishjen e ndërtimeve pa leje në bregdet.

Thënë këto, edhe historia e pallatit 7 katësh në Sarandë që çoi prapa hekurave drejtoreshën Romina Pulaj, është një mpleksje interesash korruptive të shumë zyrtarëve, që nga pushteti vendor, policia dhe sistemi i drejtësisë. Më poshtë leja e ndërtimit e vitit 2006 dhe vendimi i fundit i vitit 2020 për shtyrjen e saj.