Kush është Romina Pulaj, zyrtarja e IMT-së në bashkinë Sarandë, e arrestuar për lejet abuzive për ndërtime

Policia e Sarandës ka vënë në pranga kryeinspektoren e IMT Sarandë për shpërdorim detyre. Romina Pulaj, 31 vjeçe akuzohet se ka lejuar ndërtimin pa leje të një pallati 7 katësh. Bëhet me dije gjithashtu se është shpallur në kërkim shtetasi Pando Papuçi, 66 vjeç, pasi ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme një pallat 7-katesh (në ndërtim e sipër), në lagjen nr.1, në qytetin e Sarandës.

Përveç procedimit të Pulajt dhe biznesmenit, Prokuroria e Sarandës ka urdhëruar sekuestrimin e pallatit 7-katësh.

Ky operacion u realizua pas një pune hetimore 3-mujore, në të cilën autoritetet kanë bërë të mundur dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e ndërtimeve.

Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Ndërtimi i paligjshëm”.

Kryeinspektorja Pulaj ka mbajtur gjithashtu dhe detyrën e drejtoreshës së hipotekës së Sarandës në mars të 2019 pas ndarjes nga jeta të Armand Hysit.

Sipas raportimeve në media Pulaj aso kohe është shprehu se drejtimi i Hipotekës së Sarandës është një barrë e ngarkuar, por se do të bëjë gjithçka për të vazhduar në standardet e vendosura nga paraardhësi i saj në shërbimin ndaj qytetarëve.