Thyhet dera e selisë së PD Gjirkastër, Dasho Aliko akuzon Roland Bejkon: Lërini vandalitetet, kthehuni se jeni pjesë e jona

Kryetari i PD për Gjirokastrën, Dasho Aliko thotë se dera e selisë së partisë është shkatërruar nga mbështetës të Bashës. Ai akuzon Roland Bejkon dhe njerëz të tij për këtë veprim.

Në fakt, Bejko, i dërguari i kryesisë së PD për Qarkun e Gjirokastrës, ka zhvilluar një takim me një pjesë të strukturave vendore të PD në Gjirokastër, takim ky i organizuar në ambientet e brendshme të selisë së demokratëve në Gjirokastër.

Aliko e ka akuzuar Bejkon edhe se ka dëmtuar rëndë materialet dhe logjistikën elektronike përfshirë edhe databazën e të dhënave në sistemin informatik. “Na njoftuan që një grup njerëzish i binin derës me shqelma. Ata ishin pjesa jonë, edhe ata. Ne u bëjmë thirrje që të kthehen te shumica, te anëtarësia, sepse çdokush nga ne është bërë falë anëtarësisë dikushi”, tha Aliko.

Por pavarësisht akuzave, Aliko i bëri thirrje Bejkos dhe të tjerëve, që të rikthehen në PD. “U bëj thirrje të heqin dorë nga vandalitetet. Ata janë pjesa jonë, ne jemi pjesë e tyre. Duhet të respektojnë anëtarësinë. I kemi thërritur që të vijnë të bëhen pjesë e zgjedhjeve të PD. Ne duam që deputetin ta zgjedhë anëtarësia, jo ta emërojë kryetari. E kemi ëndërruar gjithë jetën zgjedhjen me një anëtar, një votë”, shtoi Aliko.