Syri i kaltër’ javën e ardhshme bëhet Park Kombëtar, do ndalohen zhytjet! Ministrja: Do të zgjerohet 290 ha, burim ekonomie të gjelbër
Në pranverë turistët do të gjejnë një realitet të ri tek ‘Syri i Kaltër’. 30 minuta larg nga Saranda, kjo pikë shumë e preferuar turistike do të ketë parkim, rrugë, korsitë e biçikletave, deri te pikat panoramike, si dhe trenin e vogël për vizitorët.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e shoqëruar nga prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj e nisi inspektimin duke larguar një kanaçe nga uji.
“Duhet të pastrohet çdo ditë. E mora vet tani unë, ta bëjë firma, ja vetëm në 1 m katror u mbush koshi”, tha ajo.
Me kthimin në park kombëtar, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura do të ketë nën monitorim jo vetëm burimin e syrit të kaltër, që aktualisht, sikundër nuk lejohet, përdoret edhe për zhytje.
“‘Syrin e Kaltër’ do ta kthejmë në ‘Park Natyror’. Kjo do të bëhet definitive me vendimin javën e ardhshme në Këshillin e Ministrave. Me marrjen e statusit ‘Park Natyror’ dhe sipërfaqja e zonës së mbrojtur do të zgjerohet në rreth 290 ha, si pjesë e vizionit tonë për të ruajtur e kthyer në burim ekonomie të gjelbër perlat e Shqipërisë”, vijoi ministrja.
Syri i Kaltër një parajsë natyrore në zemër të Shqipërisë, dhe perlë e turizmit veror gjendet pranë fshatit Muzinë, në rrugës nacionale Delvinë-Gjirokastër gjysmë ore larg nga Saranda.