Syri i Kaltër, rikualifikimi infrastrukturor gati në prag të sezonit turistik

Në “Syrin e Kaltër”, rreth 30 minuta larg nga Saranda, po punohet  intensivisht  për zbatimin e projektit të rikualifikimit infrastrukturor, i cili pritet të përfundojë në pranverën e këtij viti.

Përmes një investimi të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit projekti përfshin parkimin, rrugën, korsitë e biçikletave, deri te pikat panoramike, si dhe treni i vogël për vizitorët.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e shoqëruar nga prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj inspektoi nga afër punimet që po kryhen në Syrin e Kaltër.

“Me vendimin e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit  “Syrin e Kaltër” do ta kthejmë në ‘Park Natyror’. Kjo do të bëhet definitive me vendimin javën e ardhshme në Këshillin e Ministrave për ti dhënë statusin ‘Park Natyror’ një territori që shkon përtej atij që njihet si burimi i syrit të kaltër, por i një territori natyror që është shumë i gjerë dhe që do të fitojë me investimin që po bëhet një koncept tjetër përdorimi, por edhe një koncept tjetër mbrojtje”, theksoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “këtu kemi pasur të mbrojtur vetëm pjesën e burimit “Syri i Kaltër”, ndërsa pjesa tjetër me gjithë frekuentimin që behej me makinat, papastërtinë, me dyndjen e njerëzve krejtësisht të paorganizuar. Kemi marrë më shumë ankesa sesa kënaqësi për vizitën në këtë pikë turistike”.

Pjesë e projektit është edhe restaurimi i pasarelave, vijoi Kumbaro, të cilat do të jenë për vizitorët.

“Me marrjen e statusin “Park Natyror” dhe sipërfaqja e zonës së mbrojtur do të zgjerohet në rreth 290 ha, si pjesë e vizionit tonë për të ruajtur e kthyer në burim ekonomie të gjelbër perlat e Shqipërisë”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro e vuri theksin edhe tek mbajtja pastër e territorit të gjithë zonës duke theksuar se “pjesë e projektit dhe e punës së firmës zbatuese të projektit do të jetë pastrimi i mbeturinave”.

“Sfida jonë është që në përfundim të këtij projekti ne të kemi vërtet një model të menaxhimi, që nga mënyra si do të hyjnë vizitorët tek mënyra si do sillen dhe tek paketa e shërbimeve që ne ofrojmë, tha Kumbaro duke shtuar se në fund të marsit ne fillim të prillit projekti për rikualifikimin do të jetë i përfunduar.

Ministrja Kumbaro tha se “me hapjen e sezonit turistik, në 1 maj, projekti i rikualifikimit të “Syrit të Kaltër” do të përurohet”.

Syri i Kaltër i konsideruar si një parajsë natyrore në zemër të Shqipërisë, si dhe perlë të turizmit veror gjendet pranë fshatit Muzinë, pranë Rrugës nacionale Delvinë-Gjirokastër, rreth 30 minuta larg nga Saranda. Brenda zonës së mbrojtur përfshihen sipërfaqe ujore, sipërfaqe pyjore, livadhe dhe toka bujqësore.

Nga pikëpamja mjedisore e shkencore, me harmonizimin midis pyllit të dendur dhe gjelbërimit gjithëvjetor, burimeve ujore të Syrit të Kaltër me ujërat e kthjellëta dhe të ftohta, ky park nga pikëpamje turistike dhe ekologjike paraqet rëndësi të veçantë kombëtare.

“Syri i Kaltër” tërheq shumë vizitorë nga mbarë bota