Shkrirja e Gjykatës së Sarandës, Gjergji Imeraj: Do zvarriss  më shumë cështjet e pronave në zonën e bregdetit

Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi të premten konsultimin e parë në Gjirokastër lidhur me hartën e re gjyqësore. Kjo hartë  riorganizon institucionet e drejtësisë në 12 rrethe gjyqësore dhe vetëm një prokurori apeli duke shkurtuar ndër të tjera gjykatat e rretheve në Sarandë dhe Përmet, si dhe Gjykatën Administrative dhe atë të Apelit në Gjirokastër.

Dhomat e Avokatisë por edhe forume qytetare në dy qytetet Sarandë dhe Gjirokastër e kanë kundërshtuar projektin pasi sipas tyre cënon aksesin e qytetarëve në drejtësi duke krijuar  probleme në ndjekjen e proceseve gjyqësore nga qytetarët, rrit numrin e çështjeve të mbartura  dhe sjell vonesa edhe më të mëdha në trajtimin gjyqësor sidomos  të çështjeve të pronave.

Harta e re gjyqësore e Shqipërisë u  dorëzua në Ministrinë e Drejtësisë  në shtator të vitit të kaluar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Dhoma e Avokatisë në Sarandë ka argumentuar se gjykata e Sarandës shqyrton mbi 2,300 cështje në vit dhe kjo ngarkesë është më e madhe se Gjykaat e Rrethit Gjirokastër, e cila shqyrton shumë më pak çështje gjyqësore.

“Shkurtimi gjykatës  së Sarandës do zvarriste edhe më shumë cështjet e pronave sidomos në zonën e bregdetit,”  tha avokati Gjergji Imeraj.