Njihuni me fshatin e Finiqit që ka vetëm një të punësuar, të tjeret mbahen me ndihma nga emigrantët

Sopiku është fshati i Finiqit me 100 banorë që jetojnë në vështirësi ekonomike. Vetëm një prej tyre është i punësuar në Bashkinë e Finiqit. Të tjetër mbahen me të ardhurat nga punësimi sezonal në Greqi.

“Të tëra të ardhurat vijnë nga Greqia dhe ne që na shikon këtu vemë e vijmë. Asnjë s’punon këtu. Vetëm një punon në Bashki”.

Të moshuarit nuk ja dalin dot të ushqehen dhe të blejnë ilaçe. Kush ka fëmijë në emigracion është më me fat.

“Merremi me kopshtin, me 2 pula e 2 dhi. Kam pensioni 100 mijë lekë vetëm ilaçe blejmë. E shtyjmë po nuk na lenë fëmijët pa ngrënë dhe pa pirë, tha e moshuara”.

Emigrantët kanë investuar kursimet për të lehtësuar sadopak jetën e prindërve.

“Kemi investuar shumë por s’kemi parë asnjë ndihmë nga shteti. Për ujin kemi investuar vetë, e kemi sjellë nga 1 km larg. Me tubo nga lumi dhe vemë pompa”.

“Rrugën e kemi bërë vetë për 5 pleq që kemi këtu, puno andej rregullo, shteti s’bën asgjë. Jam penduar që kam investuar këtu. Kot fare”.

Në këtë fshat ka vetëm 11 fëmijë të privuar nga kënaqësitë e moshës. Kanë dëshira si gjithë fëmijët e tjerë. Kërkojnë një ambient për të luajtur.

“Park lojërash për fëmijët”.

Fëmijë pa fëmijëri. Të rritur para kohe prej mungesës së shërbimeve publike nuk mendojnë vetëm për vete, por dhe për gjyshrit e tyre.

“Duhet të ishte një spital ta kishin pleqtë”.

Të vegjlit sakrifikojnë shumë për tu arsimuar. Në Sopik prej shumë vitesh s’ka shkollë. Mësimet i ndjekin 30 km larg në Livadhja. Në mot të ftohtë izolohen dhe nuk shkojnë dot në shkollë./