Kumbaro në Sarandë: 2022-i, vit beteje për pastrimin e territorit
Në buzërrugët kombëtare në Finiq dhe në Çukë, Sarandë, vargkodrat e mbetjeve të krijuara prej vitesh janë rrafshuar për t’ua lënë vendin pemëve që po mbillen.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e shoqëruara nga prefekti i qarkut Vlorë, Flamur Mamaj dhe kryetari i bashkisë së Sarandës, Ardian Gurma panë nga afër aksionin për mbjelljen e pemëve.
Kumbaro tha se “në rrugët kombëtare, të cilat shpesh kthehen në venddepozitime të paligjshme, mbjellja me pemë është mënyra më e mirë për të frenuar këtë fenomen. Por kjo kërkon një koordinim më të mirë mes policisë, IKMT-së, pushtetit qendror dhe atij vendor”.
“Nëse nuk jemi bashkë në këtë luftë për mbrojtjen e territorit që fillon që nga mirëmbajtja dhe menaxhimi i mbetjeve të hedhura pa hesap, ne nuk do t’ia dalim”, tha Kumbaro.
Sipas saj, kjo është beteja më e madhe për këtë vit.
“Kur kemi nisur me Kryeministrin planin për pastrimin kombëtar, e kemi nisur në 1 tetor me planifikimin, në 1 nëntor në terren dhe sot që flasim kjo punë vazhdon. Nuk mund të jetë betejë e fituar nëse këtë e bëjmë vetëm ne, nëse nuk përfshin komunitetin, por edhe organet ndëshkuese, policinë, IKMT-në. Mendoj se ne jemi të vonuar me masat ndëshkimore”, nënvizoi Kumbaro.
Ky vit, shtoi Kumbaro, do të jetë një vit beteje për mbrojtjen e mjedisit, pastrimin e territorit dhe do marrim përsipër edhe kusurin e 30 viteve, por ndëshkimi do të jetë kryefjalë sepse është pjesë e edukimit.
Kumbaro i bëri apel çdo banori të qarkut të Vlorës që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital çdo akt me emër apo pa emër të përveçëm ku ka ndotje të mjedisit dhe hedhje të mbeturinave.
Ministrja Kumbaro bëri të ditur se me Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme do të fillohet masivisht në të gjithë territorin përdorimi i dronëve për të kontrolluar territorin. Kjo, sipas saj, do të mundësojë identifikimin e targave të makinave, të cilat do të ndotin dhe do të kthehen menjëherë të evidentuara nga policia për t’i ndëshkuar dhe proceduar.
Kumbaro tha se “po përgatitemi për sezonin turistik duke marrë të gjitha masat, po bëjmë investime për rrugët, por nuk mund të kemi turizëm me territor të papastër. Por duhet që edhe bizneset, restorante hotele, etj të mos mbajnë pastër vetëm ambientin e tyre dhe mbetjet t’i hedhin në cepa rrugësh”.