Kontrolle bilc nga policia: Arrestohet në Qafë Botë i riu nga Himara
Policia e Shtetit ka kryer disa kontrolle blic në të gjithë vendin, për kapjen e personave të kërkuar, atyre që qarkullojnë me armë zjarri pa leje apo me lëndë narkotike.
Nga Policia Kufitare në Qafë Botë, Sarandë, u kap shtetasi në kërkim M. S., banues në Dhërmi, Himarë, të cilit Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim më shumë se një herë dhe “Falsifikimi i vulave dhe stampave” kryer në bashkëpunim më shumë se një herë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim gjatë operacionit policor të koduar “Himara”, pasi dyshohet se nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, vulave, stampave e formularëve, ka tjetërsuar dhe përfituar sipërfaqe të konsiderueshme toke, në bregdetin e Himarës dhe Dhërmiut, të cilën më pas e ka kaluar në pronësi të tij ose e ka shitur tek persona të tjerë.
Kontrollet e befasishme me intervale të shkurtra kohore dhe në lëvizje do vijojnë në të gjithë vendin, edhe në ditët në vijim.