Ish kandidati i PD-së për Sarandën: Ka një grupim të fshehtë, as me Bashën, as me Berishën

“Ekziston një grupim i heshtur në PD që tenton të bëhet një maxhorancë e heshtur.”

Kështu u shpreh anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Besnik Aliaj i cili ka qene dhe kandidat i PD per deputet ne Sarande perballe Fatos Nanos.

Ai foli për ‘skadencën’ e 5 janarit dhe atë se çka pritet të ndodhë më 8 janar.

I ftuar në studion e “Mirëmëngjes” në Euronews Albania, Aliaj u shpreh se ky grupim heshtur përbëhet në tërësi nga njerëz të cilët ndajnë mendime të ndryshme nga dy palët e reshtuara, njëri krah Berishës dhe tjetri krah Bashës.

“Minimalisht situata në PD është triporale, sepse ka një grupim të heshtur që tenton të bëhet një maxhorancë e heshtur. Do vijë ky moment shumë shpejt. Janë njerëz që mendojnë se nuk është e drejtë të pozicionohemi për të ardhmen e PD-së, o me mua o kundër meje”, u shpreh Aliaj.

Aliaj e sheh me skepticizëm situatën, duke shtuar nevojën për ndërtimin e një kanali komunikimi dhe jo përplasjesh fizike.

“Më shumë se për debat, ka nevojë për komunikim, përplasja duhet të jetë përplasje idesh jo përplasje fizike. Unë e shoh me skepticizëm gjuhën e ashpër nga të dyja palët”, tha ai.

Ndër të tjera, anëtari i Këshillit tha se e gjithë ‘saga’ e ngjarjeve brenda PD-së, parashikon të finalizohet dhe të gjejë zgjidhje vetëm me zgjedhje.

“Në fund të këtij procesi dhe sidomos PD-ja do të përballet me fakte të forta. Dhe ajo që shoh unë janë zgjedhjet, që do të jenë testi i këtij ballafaqimi”, tha Aliaj.