Trishtuese: hera e dytë në Syrin e Kaltër….
Nga Thoma Nika
Dimri i befasishëm i këtyre ditëve të para të dhjetorit, ka qenë me pasoja edhe për burimin e Syrit të Kaltër.
Erërat e forta kanë bërë që një trung prej pemëve në periferinë e afërt të burimit piktoresk, të shkëputet e të bjerë në qendër të këtij burimi.
Mësohet se ndërhyrja për nxjerrjen nga ujërat e ftohta e të thella të trungut të pemës së rrëzuar, ka qenë deri tani e pamundur.
Për këtë kanë penguar jo vetëm vërshimet e ujërave, për shkak të rreshjeve të shumta, por edhe mungesa e infrastrukturës rrugore dhe vështirësitë e terrenit, që nuk lejojnë hyrjen e vinçit. Syri i Kaltër është shpallur monument natyre dhjetë vite më parë.
Ai rregjistrohet si burim karstik i fuqishëm dhe më i madhi në shkallë vendi, nga buron Bistrica.
Ai veçohet për ujëra të freskëta e të kaltra, me prurje mesatare 500 mijë litra ujë në orë, si dhe për rrethimin me bimësi të dendur e me gjelëbrim gjithëvjetor.
Syri i Kaltër ka hyrë prej kohësh në hartën e guidave turistike për bukuritë tërheqëse që ai paraqet. Kjo bukuri është prishur këto ditë për shkak të pemës së rrëzuar mbi burimin nga moti i keq.
Në vitin 2003 Syri i Kaltër humbi kaltërsinë për shkak të shpërthimit gëlqeror të nënështresave të veta dhe karakteristikat e tij natyrore i rifitoi pas disa muajsh.
Kjo është hera e dytë që cenohet bukuria e Syrit të Kaltër dhe këtë radhë shkak është bërë rrëzimi mbi të i një peme me gjithë trungun e saj.



