Sarandë- Nis operacioni më i madh i eksportit detar të Shqipërisë, qe përfshin edhe Japoninë

Nisi sot nga Saranda operacioni më i madh i eksportit detar të Shqipërisë, i cili e përfshin edhe Japoninë në hartën e eksporteve shqiptare, që nga 3 vende në vitin 2013, sot ka plot 27 destinacione.

Kryeministri Edi Rama, ambasadori i Japonisë në Tiranë, Takada Mitsuyuki, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ishin sot në demonstrimin që u krye në Sarandë, tek ferma detare me rastin e nisjes së eksportit të peshkut ton.

Rama vlerësoi se “industria shqiptare e peshkimit tanimë është një industri konkurruese në tregun ndërkombëtar dhe pas pesëfishimit të eksporteve të saj në dy mandatet e para, synojmë dyfishimin në mandatin e tretë”.

Nga ana e tij, ambasadori i Japonisë vlerësoi punën e mirë që është bërë nga kompania e sipërmarrësit shqiptar, Gjergj Luca.

“Ky është një biznes i ri sfidues në Shqipëri dhe jam i sigurt se ky biznes mund të kontribuojë në vëllimet dypalëshe tregtare, pasi është një biznes i vazhdueshëm dhe me qëndrueshmëri”, tha ai.

Ambasadori japonez shprehu po ashtu bindjen se kjo sipërmarrje mund të sjellë investime të tjera nga Japonia në Shqipëri.

Ferma e kultivimit të tonit për eksport në detin Jon është e ndërtuar dhe menaxhuar me superstandardet e nevojshme për tregun japonez.

Shqipëria synon të kthehet në një nga pikat më të mëdha në Mesdhe për rritjen dhe tregtimin e peshkut ton në të gjithë botën.

Sektorit të peshkimit vitet e fundit i janë krijuar një sërë lehtësish fiskale, si heqja e akcizës për karburantin, heqja e taksës së karbonit, zero TVSH për rrjetat, anijet, pajisjet elektronike, zero TVSH frigoriferëve, motorëve të anijeve të peshkimit.

Ndërsa investimet të kombinuara më kërkesën në rritje të tregut të huaj, kanë sjellë që eksporti i peshkut të shënojë rritje të ndjeshme vitet e fundit. Në krahasim me 2013-ën eksportet janë rritur 4 herë më shumë. Në 2013 u eksportuan 1705 tonë, ndërsa në 2020 8219 tonë.